Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar 25-vjetorin e Masakrës në qytetin e Vushtrrisë.
“Drejtësia për viktimat e masakrës së Vushtrrisë, sikurse edhe për të gjitha viktimat e masakrave të tjera në gjithë Kosovën, është e domosdoshme dhe përkushtim i vazhdueshëm”, citohet të ketë thënë Osmani, thuhet në njoftimin e presidencës.
Sipas saj, gjurmët e krimit u përpoqën t`i fshehin, teksa trupat e shumicës së të vrarëve u gjetën në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë.
“Më 22 maj 1999, regjimi gjenocidal i Serbisë tentoi t`i shfarosë banorët shqiptarë në rrugën “Abdullah Shabani”, në Vushtrri. Pasi që dëboi banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, 68 prej tyre, në mesin e të cilëve fëmijë e të moshuar, i mbajti peng në shtëpinë e Kahriman Pasomës dhe pas torturave mizore i vranë. Banorë të tjerë, regjimi kriminal serb i tuboi në sallën e sportit dhe në burgun e Smrekonicës, ku pas torturave dhe plaçkitjes i dëboi dhunshëm për në Shqipëri. Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët e Vushtrrisë dhe të gjithë të rënët për liri”, shtoi ajo.