Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për votimin marrëveshjes me Danimarkën për burgjet.
Me anë të një postimi në Facebook, ministrja Haxhiu thotë se kjo marrëveshje është një dëshmi e besimit dhe respektit reciprok mes dy vendeve dhe do të sjellë përfitime të ndërsjella.
“Falënderoj deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e kësaj marrëveshjeje të dobishme për Republikën e Kosovës. Kjo marrëveshje është një dëshmi e besimit dhe respektit reciprok mes dy vendeve tona. Ajo do të sjellë përfitime të ndërsjella dhe do të hapë dyer të reja për bashkëpunime të ardhshme”, shkruan Haxhiu.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan, me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.
Me vota 86 pro, asnjë abstenim dhe 7 kundër, Kuvendi i Kosovës e miraton marrëveshjen ndërkombëtare me Mbretërinë e Danimarkës.
Në sallë ishin të pranishëm 94 deputetë.
Kosova dhe Danimarka e nënshkruan letër-pëlqim për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez në Kosovë në dhjetor të vitit 2021. Në prill 2022, dokumenti u shndërrua në Traktat, sipas të cilit, ishte paraparë që transferimi i të burgosurve të bëhej në fillim të vitit 2023.
Udhëheqësit dhe gardianët në burgun e Gjilanit do të jenë nga shteti i Danimarkës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Autoritetet në Danimarkë kanë thënë më herët se kapacitetet e burgjeve të tyre janë mbushur 100%, pasi numri i të burgosurve është rritur për gati 20% nga viti 2015.