Përfaqësuesja e Gjermanisë, Antje Leendertse, ka prezantuar rezolutën për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Leendertse ka thënë se rezoluta është modeluar sipas rezolutës për gjenocidin në Runada.
“Pothuajse 30 vjet më parë, 8,372 myslimanë boshnjakë u ekzekutuan sistematikisht në qytetin e Srebrenicës. Vrasja filloi më 11 korrik dhe zgjati disa ditë”, ka thënë Leendertse.
Sipas Leendertse, rezoluta nuk është kundër Serbisë dhe se të gjithë duhet ta gjykojnë tekstin sipas asaj që thotë. Ajo ka theksuar mbështetjen që i kanë dhënë rezolutës vendet e Ballkanit Perëndimor, anëtare të OKB-së.
Në fund, përfaqësuesja gjermane ftoi të gjithë anëtarët të votojnë për rezolutën.
“Gjenocidi i Srebrenicës është njohur nga Gjykata Ndërkombëtare, shënohet për çdo vit dhe jemi të përkushtuar që ta bëjmë këtë kujtese institucionale. Draft rezoluta po ashtu nënvizon kërkimin e dhënies së llogarisë. Kjo rezolutë nuk drejtohet ndaj askujt e as ndaj Serbisë. Ajo drejtohet ndaj kryerësve të krimit. Rezoluta gëzon një përkrahje të fuqishme edhe nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Kemi vendosur t’i fusim amendamentet. Mali i Zi ka sqaruar se llogaridhënia nuk mund t’i atribuohet asnjë grupi etnik. Kjo rezolutë synon pajtimin. Të gjitha grupet etnike që kanë qenë të përfshira në luftërat ballkanike kanë pasur humbje të mëdha. Kryesit e krimeve të tilla për gjenocid duhet të japin llogari. Çfarë mesazhi u ofrohet gjeneratave të ardhshme nëse Asambleja nuk e voton këtë rezolutë”, ka deklaruar përfaqësuesja e Gjermanisë.
Në fjalën e tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se bëhet fjalë për një “rezolutë shumë të politizuar” dhe kërkoi që të mos mbështetet.
“Iu bëj thirrje vendeve anëtare që të votojnë kundër rezolutës”, tha ai.
Rezoluta bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”, raporton Radio Evropa e Lirë.
Kina voton kundër
Pas Vuçiqit, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ka folur përfaqësuesi i Kinës që ka thënë se rezoluta do të ngritë shumë çështje në rajon.
Ai ka thënë se kjo s’do të kontribuojë në harmoninë dhe paqen në Ballkan e Evropë.
Kina do të votojë kundër rezolutës.
Rezoluta për Srebrenicën para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së
Në Srebrenicë – pjesa lindore e Bosnje e Hercegovinës – forcat serbe vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995.
Krimi u njoh si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, në vitin 2007.
Kush e sponosorizoi rezolutën?
Gjermania dhe Ruanda janë “sponsorizueset” kryesore të rezolutës për Srebrenicën, përkatësisht shtetet që bashkërisht e iniciuan dhe hartuan tekstin e saj.
Më pas, 32 shtete anëtare të OKB-së u bënë “bashkësponsorizuese”, apo vende që morën përsipër detyrën e prezantimit të draftit para 193 shteteve anëtare të kësaj organizate.
Për miratimin e rezolutës duhen votat e shumicës së anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, përkatësisht 97 nga gjithsej 193.
Mbështetje për të, deri më tash, shprehën të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë dhe entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska.
Dokumenti nxiti reagime të furishme nga zyrtarët e tyre, edhe pse në të nuk përmendet as Serbia, as Republika Sërpska.
Serbia loboi në mënyrë aktive kundër miratimit të tij, ndërsa, pak orë para se të niste debati në Asamblenë e Përgjithshme, Republika Sërpska ofroi, siç tha, një marrëveshje për “ndarjen paqësore” të Bosnje e Hercegovinës.
Mbledhja e OKB-së nis me një minutë heshtje për viktimat e Srebrenicës
Mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ku do të votohet rezoluta për Srebrenicën, nisi me një minutë heshtje për viktimat e 11 korrikut të vitit 1995.
Miratimi i kësaj rezolute do të mundësojë që ta njeh Serbinë si autore të krimeve.
Gjermania dhe Ruanda janë sponsorët e rezolutës. Këto dy shtet bashkërisht iniciuan dhe hartuan tekstin e rezolutës. Më pas, 36 shtete anëtare të OKB-së u bënë bashkë-sponsor, duke marrë përsipër detyrën e prezantimit të draftit në të 193 shtetet anëtare të OKB-së.
Për miratimin e rezolutës do të mjaftojë shumica e thjeshtë e anëtarëve të OKB-së që janë të pranishëm në seancë dhe votojnë.
Rezoluta e propozuar për gjenocidin në Srebrenicë, ndër të tjera, u bën thirrje vendeve anëtare që të përfshijnë gjenocidin në Srebrenicë në tekstet shkollore.