Nora Cimili – Gagica, kryeshefe ekzekutive në NPL “Gjelbër”, ka thënë se që nga marsi janë në fluksin e madh të punës, ku fillojnë me aktivitetet e njëpasnjëshme në terren.
“Ndërmarrja e bën vetëm mirëmbajtjen dhe ngritjen e hapësirave të gjelbra vetëm në hapësira publike të gjelbra dhe parqe në kryeqytet. Tash jemi në intesitet të lartë të punës sa i përket kositjes dhe mbjelljes së luleve, fidaneve dhe drunjve”, ka thënë Cimili – Gagica në emisionin “Reload” në RTV Dukagjini.
Ajo ka treguar se kjo ndërrmarje për 59 vjet ka qenë e njohur me emrin “Hortikultura”, por tani me emrin e ri, “Gjelbër”, sipas saj, qytetarëve u duhet pak kohë që të ambientohen.
“Ndërmarrja për 59 vjet e ka mbajtë këtë emër dhe të gjitha qytetet në rajonin e ish-Jugosllavisë e kanë pasur nga një “Hortikulturë”, e cila është kujdesur për mirëmbajtjen e gjelbërimit, por kryesisht janë marrë me kultivimin e bimëve.
Me ardhjen e menaxhmentit të ri, kemi menduar se është ide e mirë që të jetë një inditetit i ri për ndërmarrjen, dhe kjo besoj që po na jep hapësirë më të madhe që të promovohemi si ndërmarrje. Këtu ka qenë një pengesë tek ndërmarrja, ka qenë e keqkonceptuar dhe nuk ka pasur promovim të puntorëve që janë të palodhshëm dhe të pashoq. Besoj që ndryshimi i emrit do të na japë mundësi të reja dhe hapësira tjera për strategji biznesore”, ka thënë kryeshefja ekzekutive e kësaj ndërmarrjeje.
Cimili – Gagica ka shtuar se përkujdesen për mirëmbajtjen dhe pastrimin e të gjitha hapësirave dhe parqeve publike, e që sipas saj, ka edhe qytetarë të pandërgjegjshëm që hedhin mbeturina.
Ajo ka theksuar se kontratën kryesore e kanë me Komunën e Prishtinës, përkatësisht Drejtorinë e Parqeve, të cilët kanë ndarë buxhet, me të cilin i paguajnë për shërbimet që kjo ndërmarrje bën.
“Shpresoj që në të ardhmen buxheti do të rritet edhe më shumë, në mënyrë që të zgjerohet edhe ndërmarrja. Në momentin kur Prishtina dhe teknologjia po zgjerohen, hapësirat e gjelbra kanë nevojë edhe më shumë që të zgjerohen, ka nevojë edhe ndërmarrja të zgjerohet”, ka potencuar ajo, duke ritheksuar se duhet të shtohen punëtorët fizikë e pastaj, sipas saj, edhe kualiteti i punës në terren do të jetë edhe më i mirë.
Për më shumë mund të shikoni videon më poshtë: