Biden dhe Trump në garë për votat e grave

Në këtë fushatë zgjedhore, vëmendja e madhe që po iu kushtohet votueseve amerikane është përqëndruar në ligjet e abortit dhe të drejtat riprodhuese

Ish-presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti amerikan Joe Biden.

Votueset amerikane përbëjnë mbi gjysmën e elektoratit në Shtete të Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Scott Stearns u hedh një vështrim strategjive të kandidatëve presidencialë Joe Biden dhe Donald Trump për të fituar përkrahjen e tyre në zgjedhjet e nëntorit.

Në këtë fushatë zgjedhore, vëmendja e madhe që po iu kushtohet votueseve amerikane është përqëndruar në ligjet e abortit dhe të drejtat riprodhuese.

Por mbi supet e votueseve amerikane rëndojnë edhe një mori çështjesh tjera përtej abortit dhe shtabet zgjedhore tani po përpiqen të fitojnë përkrahjen e tyre edhe përmes çështjeve ekonomike, shëndetësisë dhe luftimit të kriminalitetit.

Në Minesotë, votuesja Rebecca Jensen thotë se presidentit, Joe Biden duhet t’i njihet meritat për ato që ajo i quan vendime të drejta.

“Çështjet e ambientit janë shumë të rëndësishme. Ekonomia dhe shëndetësia janë të rëndësishme. Unë jam punonjëse e shëndetësisë dhe ende ballafaqohem me COVID-in. Njerëzit thonë se tani jemi në periudhën pas pandemisë, por në të vërtetë nuk jemi. Jemi ende në mes të pandemisë. Është me rëndësi që në Shtëpinë e Bardhë të kemi një njeri që beson te shkenca”, thotë votuesja Jensen.

Në Nevadë, votuesja Julie Benb dëshiron një mandat të dytë për zotin Donald Trump.

“Ai ishte i mirë për çështjet ekonomike. Nuk kishte luftë. Kishte harmoni. Kishte paqe. Të gjithë ishim të punësuar. Çmimi i benzinës ishte normal. Ai është një njeri i mrekullueshëm, që e do vendin e tij. Është njeri i mirë. Ai rriti një familje të mirë dhe ne do ta rizgjedhim atë”, thotë votuesja Benb.

Përmes një nisme të Shtëpisë së Bardhë që do të përqëndrohet në hulumtimin e çështjeve shëndetësore me të cilat ballafaqohen gratë, presidenti Biden po synon të fitojë përkrahjen e grave.

“Me gjithë përparimet që janë bërë në mjekësi, në të gjitha aspektet, shëndeti i grave nuk ishte pjesë e tyre. Hulumtimet nuk përfshinë gratë”, tha Biden.

Shtabi i fushatës së Biden transmetoi një reklamë në rrjetet sociale për Ditën e Nënës duke sulmuar politikat e Trump për t’i ndarë familjet e imigrantëve, me slloganin, “Bëjuni një nder nënave tuaja. Ndaleni Trumpin”.

Në një takim me gratë e krishtera konservatore, Trump u zotua se do të sillte paqen në Evropë.

“Para se të hyj në Zyrën Ovale, pak pasi të jem zgjedhur president, do të gjej zgjidhje për luftën e tmerrshme ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës”, deklaroi ai.

Trump po ashtu po përpiqet të fitojë përkrahjen e votueseve amerikane me mesazhe për luftë kundër kriminalitetit dhe migracionit.

“Besoj se kam përkrahjen e fuqishme të grave në zonat periferike sepse ato duan siguri. Atyre po ua plaçiskin stolitë, po ua grabisin çantat, paratë që kanë në to, pajisjet elektronike, orët e dorës. Dhe njerëzit pyesin se çfarë po ndodh? Nëse nuk dëshironi që imigrantët e jashtëligjshëm kriminelë të hyjnë fshehurazi nga dritaret dhe t’ua bastisin sirtarët, atëherë duhet të votoni që ta heqim sa më parë kriminelin Joe Biden dhe dëmin që ai mund të shkaktojë”, sipas Trump.

Qendra për Gruan Amerikane dhe Politikat thotë se numri i grave që kanë votuar në zgjedhjet presidenciale që nga viti 1980 ka tejkaluar numrin e burrave.

Në garën e vitit 2020, sipas të dhënave të Institutit Pew, Biden ka fituar 11 për qind më shumë vota të grave se Trump./VoA

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika