Ambasadori i ShBA-së në Kosovë e ka ritheksuar edhe një herë që vendi i tij është kundër një Asociacioni me kompetenca ekzekutive.
Ai në një intervistë në RTK, kërkon nga Kosova ta dërgojë draft-statutin e tij në Gjykatën Kushtetuese, për t’u dhënë përgjigje vërejtjeve që mund t’i ketë.
Hovenier theksoi se drafti i propozuar nga BE-ja është mjaft cilësor dhe i pranueshëm për vendet mike të Kosovës.
Përgjigja e plotë e Hovenier:
Sa e kam kuptuar unë, edhe pse ajo ofertë është bërë në një letër që zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Jashtme, Gërvalla, ua ka dërguar autoriteteve të Këshillit të Evropës, në ndërkohë ajo, gjithashtu, ka thënë që kjo ofertë nuk është më relevante apo mendoj nuk është më në tavolinë. Lidhur me pyetjen se cili draft dhe si dërgohet më tej, kjo është çështje e rëndësishme dhe padyshim që është një zgjedhje sovrane e qeverisë së Kosovës, se çfarë statuti zgjedh të hartojë dhe si e çfarë do të kërkojë të miratojë apo dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Por do të them se drafti i ofruar nga Bashkimi Evropian, ky draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ofron një sërë përparësish unike dhe të rëndësishme. Fillimisht ajo iu prezantua Kosovës nga përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, në emër të Bashkimit Evropian, por në praninë e zyrtarëve shumë të lartë nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara – vende që do të dëshironit të mbështetnin Kosovën në aplikimin e saj për anëtarësim. Së dyti, Bashkimi Evropian si BE ka thënë se e miraton statutin. Pra, ju keni këtë draft statut që ka mbështetjen e plotë të SHBA-së, Bashkimit Evropian, shteteve individuale anëtare të BE-së, i cili nuk është kundërshtuar nga Serbia.
Të gjithë kemi thënë se ky draft i përmbush kërkesat. Kosova është zotuar qysh në vitin 2013 për të krijuar këtë Asociacion. Ky draft do të përmbushë kërkesat dhe edhe diçka tjetër, besojmë fuqimisht se është bërë në një mënyrë që respekton shqetësimet e identifikuara nga qeveria e Kosovës. Ne pajtohemi që në Kosovë të mos ketë një Republikë Serbe. Pajtohemi që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të mos ketë autoritet ekzekutiv; nuk duhet të krijojë një shtresë të re të qeverisë; nuk duhet të pengojë funksionimin e mirë të shtetit kosovar dhe duhet të jetë në përputhje të plotë me kushtetutën aktuale të Kosovës.
Ky draft besojmë se i përmbush të gjitha këto. Ka disa që argumentojnë se ky draft-statut duhet të përmirësohet ose ndoshta nuk është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe kjo është arsyeja pse e vetmja gjë që po kërkojmë nga Kosova të bëjë është që ta dërgojë atë tek ky organ, te organi i vetëm në planet që ka autoritetin dhe kompetencat aktuale për të përcaktuar nëse është në përputhje me Kushtetutën apo jo – GjykataKushtetuese e Republikës së Kosovës. Kjo është ajo që po kërkojmë. Tani, ne të gjithë do të respektojmë rezultatin e atij procesi. Të gjithë do të respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Duke pasur parasysh të gjitha ato përparësi, është e vështirë për ne të kuptojmë përse qeveria mund të dëshirojë të shqyrtojë një draft tjetër që ndoshta nuk do të ofrojë të gjitha përparësitë që i përmenda më lart. Pra, shpresojmë në përpjekjet tona për ta parë Kosovën të përparojë në rrugën e saj evropiane, që qeveria të marrë parasysh këshillat tona.