Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) urdhëroi Izraelin që “menjëherë të ndalë” ofensivën e tij ushtarake në Rafah, në jug të Gazës.
Sipas GJND-së, Izraeli duhet të ndalë edhe çdo veprim tjetër në Rafah, që mund të përkeqësojë jetesën e palestinezëve në Rafah të Gazës, raporton Reuters.
Izraeli ka pak të ngjarë që të zbatojë një urdhër të tillë, teksa GJND-ja tha se situata në Rripin e Gazës është përkeqësuar.
Në vendimin e GJND-së po ashtu u tha se Izraeli “duhet të mbajë të hapur pikëkalimin në Rafah” që e lidh Gazën me Egjiptin, “për ofrimin e papenguar të shërbimeve bazike dhe ndihmës humanitare”.
Gjykata tha se Izraeli duhet t’iu ofrojë qasje hetuesve në territorin e rrethuar dhe të raportojnë brenda një muaji për përparimin e bërë.
Vendimi u mor nga një panel prej 15 gjyqtarësh nga e mbarë bota, me 13 vota për dhe dy kundër. Gjyqtari nga Uganda dhe ai nga Izraeli votuan kundër vendimit.
Afrika e Jugut i kishte kërkuar gjykatës, me seli në Hagë, që të urdhërojë ndalimin e ofensivës izraelite në Rafah dhe tërheqjen e trupave nga i gjithë Rripi i Gazës.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka hedhur poshtë akuzat për gjenocid si të egra.
Izraeli thotë se bën gjithçka që mundet për t’i mbrojtur civilët palestinezë në Gaza dhe akuzon Hamasin për përdorimin e civilëve palestinezë si mburoja njerëzore – një akuzë që Hamasi e mohon.
Izraeli thotë se duhet të ketë të drejtën për të mbrojtur veten pas sulmeve të 7 tetorit të udhëhequra nga Hamasi në Izrael, në të cilat u vranë 1200 njerëz dhe më shumë se 250 u rrëmbyen, sipas të dhënave izraelite. Gjatë paraqitjes së kundërargumenteve më 17 maj, Izraeli tha se kërkesa e Afrikës së Jugut është “tallje me Konventën e Gjenocidit” dhe i kërkoi gjykatës ta hedhë poshtë kërkesën.
Pas rundit të parë të seancave mbi masat emergjente në janar, gjykata gjeti se ishte e besueshme se Izraeli kishte shkelur disa të drejta të garantuara për palestinezët në Gaza sipas Konventës së Gjenocidit.
Gjyqtarët urdhëruan Izraelin të përmbahej nga aktet që mund të bien nën Konventën e Gjenocidit dhe të sigurojë që trupat e tij të mos kryejnë akte gjenocidale kundër palestinezëve.
Sipas Konventës së Gjenocidit, aktet e gjenocidit përfshijnë vrasjen e anëtarëve të një grupi, shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore ose mendore ndaj tyre dhe shkaktimin e qëllimshëm të kushteve të jetës që llogariten se sjellin shkatërrimin e plotë ose të pjesshëm të grupit.
Gjyqtarët gjithashtu urdhëruan Izraelin të ndërmarrë veprime për të përmirësuar situatën humanitare në Gaza. Në mars, gjykata lëshoi masa të tjera urgjente dhe urdhëroi Izraelin të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe efektive për të siguruar furnizimet bazë ushqimore për palestinezët në Gaza.
Më 24 maj, gjykata do të marrë një vendim lidhur me kërkesën e fundit për një ndërhyrje të menjëhershme, ose masa urgjente, të kërkuara nga Afrika e Jugut, jo vetëm për rastin e gjenocidit. Vendimi për rastin e gjenocidit mund të marrë disa vjet.
Vendimet e GJND-së janë përfundimtare dhe pa ankesë, por GJND-ja nuk ka asnjë mënyrë për t’i zbatuar ato. Një vendim kundër Izraelit mund të dëmtojë reputacionin ndërkombëtar të vendit dhe të krijojë një precedent ligjor.