Historike e ka cilësuar vizitën e kancelarit gjerman Olaf Scholz, kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Sipas kryeministrit të Kosovës, kjo vizitë ishte dëshmi për marrëdhënieve të mira midis të dy vendeve.
“Vizita e sotme e kancelarit gjerman ishte historike. Përveçse e para e tillë që nga shpallja e pavarësisë, ishte dëshmi e marrëdhënieve tona të forta si dy vende partnere dhe aleate për njëra-tjetrën, të lidhura me vlera të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë, në një moment përcaktues për rajonin dhe kontinentin tonë”, ka shkruar kryeministri i Kosovës në Facebook.
Të premten, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, e kanë pritur kancelarin gjerman Olaf Scholz në Aeroportin e Prishtinës.
Në takimin me kancelarin gjerman, kryeministri Kurti, ka kërkuar mbështetjen e tij për anëtarësimm të Kosovës në Bashkimin Evropian, njëkohësisht duke e bërë të ditur se në fund të vitit 2022 Kosova do të aplikojë pë statusin e kandidatit për në BE.
Kurti, ka falënderuar kancelarin Scholz, për mbështetjen e vazhdueshme që shteti i Gjermanisë i ka dhënë Kosovës.
Ndërkaq, kancelari Scholz, ndër të tjera foli për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se duhet të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes tyre.
Sipas tij dy vendet duhet ta njohin sovranitetin e njëra-tjetrës, sepse ndryshe nuk mund të anëtarësohen në BE.