I vetmi që ishte parë i nervozuar në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ishte Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq.
Nën petkun e viktimës e përjetoi në kohë reale votimin e rezolutës për Srebrenicën që ndër të tjera përcaktoi 11 korrikun si Ditë ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit të vitit 1995, kur forcat serbe në Bosnje dhe Hercegovinë vranë më shumë se 8.000 burra e djem myslimanë.
Ky veprim ka emocionuar sidomos ata që e kishin përjetuar prej së afërmi mizorinë e serbëve të asaj kohe.
Njëjtë sikur familjarët e deputetit nga komuniteti boshnjak në Kosovë, Bahrim Shabani, i cili tregoi përjetimin e familjarëve të tij.
“Ata ma mirë e din dhe e kanë dhimbjen edhe sot cka kanë përjetuar krejt, ne ndoshta e kemi përcjell por ata e kanë përjetuar për katër vite dhe normal që rezulutën e kanë pritë që të ndodhë. Normal ato janë edhe emocione dhe nuk duhet të harrojmë që edhe ditën e sotme ka familjarë që janë gjallë por që nuk kanë gjetur familjarë të tyre”, ka deklaruar Shabani.
Shabani tha se ndonëse ka ndodhur vonë, ky hap tregon edhe njëherë se kush me të vërtetë kreu krimin në Bosnjë dhe Hercegovinë.
“Gjenocidi është kryer, kur është kryer ne duhet gjithmonë me përmend kush e ka kryer dhe ajo është Serbia ndonëse e mohojnë që vet e kanë bërë”, ka vijuar ai.
Pos komunitetit boshnjak në vend ka edhe shqiptar që iu gëzuan votave pro për rezolutën për Srebrenicën.
Në këtë rast është Nexhmedin Kastrati i cili në atë kohë kishte qenë luftëtar vullnetar në Bosnjë.
Ai tha se ky hap është fitore për popullin boshnjak.
“Politika dhe ushtria serbe kanë bërë një gjenocidë të përmasave, të mdhaja të papara në 100 vjet e fundit dhe dje definitivisht drejtësia vonoi po nuk harroi. Është pjesë e fitores që i ka ndodhë edhe shtetit edhe popullit, viktimave dhe familjarëve të viktimave në Bosnjë dhe Hercegovinë”
Me 84 vota për, 19 kundër dhe 68 abstenime, Asambleja e ka kaluar dokumentin i cili, pos që e përcakton përkujtimin e përvitshëm e dënon edhe mohimin e këtij gjenocidi.