Në Sofje të Bullgarisë, prej sot, për tri ditë rresht do të mblidhet Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku në agjendën e saj është edhe Kosova.
Me këtë rast, Kuvendi i Kosovës e synon finalizimin e avancimit të statusit në anëtar të asocuar në këtë organizatë.
Në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s, në Sofje të Bullgarisë, ka nisur punimet komisioni për mbrojtje dhe siguri, raporton RTK.
Delegacioni nga Kuvendi i Kosovës është i pranishëm në këtë komision por gjatë ditës do të ketë edhe komisione të tjera ku do të prezantohen draftraporte edhe për Kosovën.
Në njoftimin e Asamblesë thuhet se deputetët e saj, mes tjerash, do të vendosin për kërkesat e Maltës dhe Kuvendit të Kosovës.
Agjenda:
Delegacioni i Kuvendit te RKS-se do ti ndjekin punimet e komisionit për mbrojtje dhe siguri ku ndër të tjera do të diskutohen edhe tri draft raporte:
1. Qëndrimi në zhvillim i mbrojtjes ajrore dhe raketave të NATO-s nga Utku CAKIROZER (Turkiye).
2. Lufta e Rusisë dhe mbështetja e aleatëve për Ukrainën nga Rick LARSEN (Shtetet e Bashkuara).
3 Ballkani Perëndimor: Sfida të Përtëritura të Sigurisë në pragun e NATO-s nga Lord Mark LANCASTER (Mbretëria e Bashkuar).
Kosova është përfshirë në agjendë me rekomandimin e Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të NATO-s për dhënien e statusit nga vëzhgues parlamentar në anëtar të asocuar për Kuvendin të Kosovës, më 24 mars të këtij viti.
Për shumë vjet Kosova ka pasur statusin e anëtarit vëzhgues dhe avancimi i statusit është niveli më i lartë i prezencës në Asamble deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në Aleancën Veriatlantike.
Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit do të zgjerohet delegacioni pjesëmarrës i Kosovës, do të ketë përfshirje më të madhe në vendimet e Asamblesë dhe Kosova mund të kontribuojë në adresimin e amendamenteve dhe komenteve lidhur me dokumentet të cilat i trajton Asambleja.
E në Serbi kanë nisur përpjekje për ta penguar avancimin e statusit të Kosovës në këtë organizatë.
Instituti Ndërkombëtar për Siguri, me seli në Beograd, i është drejtuar me një letër Asamblesë Parlamentare të NATO-s për të mos ia dhënë Kosovës statusin e anëtarit të asocuar.
Afro 400 deputetë nga 32 vendet anëtare të NATO-s dhe nga 25 vende partnere e organizata parlamentare do të marrin pjesë në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, nga 24 deri më 27 maj në Sofje. Forumi organizohet nga Asambleja Kombëtare e Republikës së Bullgarisë.
Pjesëmarrësit do të diskutojnë temat që lidhen me agjendën e mbrojtjes dhe të sigurisë euroatlantike, me fokus në mbështetjen për Ukrainën dhe prioritetet e samitit të ardhshëm të NATO-s, i cili do të mbahet në korrik të këtij viti në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
“Gjatë seancës, Asambleja pritet të përforcojë qëndrimin e saj të vendosur për luftën e pajustifikuar, të paprovokuar dhe brutale të Rusisë kundër Ukrainës, të diskutojë ofrimin e ndihmës së menjëhershme dhe afatgjatë për Ukrainën dhe të miratojë një deklaratë për mbështetjen e Ukrainës deri në fitore. Në hapje të seancës plenare, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, pritet t’u drejtohet me një mesazh parlamentarëve përmes video-konferencës”, është bërë e ditur në njoftimin e Asamblesë Parlamentare.
Është planifikuar gjithashtu që në hapjen e seancës, pjesëmarrësit të priten nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Michal Shcherba, zëvendëskryetarja e Kuvendit të Bullgarisë, Rositsa Kirova, si dhe nga kryeministri bullgar në detyrë, Dimitar Glavçev.
Parlamentarët suedezë do të marrin pjesë në punimet e sesionit pranveror për herë të parë, pasi Suedia edhe zyrtarisht është bërë anëtare e plotë e Aleancës.
Asambleja do të marrë gjithashtu në konsideratë zbatimin e planeve të reja të mbrojtjes të NATO-s, përmbushjen e detyrimeve të shpenzimeve të mbrojtjes dhe ndarjen e barrës buxhetore për shtetet anëtare.