Pak muaj pas vizitës së Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiut, në Hagë do të shkojë edhe një udhëheqës i lartë shtetëror.
Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca ka konfirmuar se në fund të këtij muaji do të vizitojë ish-udhëheqësit e UÇK- së, që po mbahen në paraburgim në Hagë nga Gjykata Speciale.
Por, për dallim nga bashkëpartikja e tij, ministrja e drejtësisë, Konjufcën kanë pranuar ta takojnë të gjithë të akuzuarit.
RTV Dukagjini ka mësuar nga burime të afërta me takimin se ish-liderët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi e Kadri Veseli do ta presin në takim kryeparlamentarin Konjufca.
Ilir Kërçeli, shef i Kabinetit të kryetarit të Kuvendit, shkurt ka konfirmuar vizitën e Konjufcës në Hagë, pa dhënë detaje.
“Kryeparlamentari do t’i vizitoj të gjithë. Arsye specifike nuk ka, ata janë qytetarë të vendit tonë”, ka thënë Kërçeli.
Por, organizata joqeveritare që merren me sundim të ligjit vazhdimisht kanë kundërshtuar vizitat politike në Hagë me arsyetimin se ndikojnë negativisht në procesin gjyqësor.
“Në aspektin se si e sheh prokuroria dhe gjykata speciale vizitat e politikanëve dhe personave që kanë pushtet në Republikën e Kosovës mund të ketë karakter negativet në proceset gjyqësore të atyre që mbahen në Hagë. Mjafton të shihen arsyetimet e Gjykatës qoftë në rastin e Thaçit qoftë në rastin e Veselit, kërkohet vazhdimi i paraburgimit sepse këta persona konsiderohet qe kanë ende autoritet”, ka deklaruar Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
“Bartësit e funksioneve publike nuk do të konsiderohej parimore e as ligjore të vizitonin personat që janë në një proces gjyqësor, mirëpo me vetë faktin e specifikës së kësaj gjykate dhe natyrës së gjykimit, për personat që po procedohen pranë kësaj gjykate është e nevojshme përkrahja institucionale”, ka thënë avokati Armend Shkoza.
Në Hagë, ish-liderët e UÇK-së dhe të Kosovës, pos vizitave nga anëtarët dhe deputetët e PDK-së, i ka takuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.