Një personalitet më i rëndësishëm nga Gjermania nuk ka shkelur ndonjë herë në institucionet e Kosovës së pavarur.
Mes shqetësimeve për sigurinë e Ballkanit, Olaf Scholz është kancelari i parë gjerman që vjen në Prishtinë pas 2008-s.
Si rrjedhojë, me vete ka sjellë mesazhe të rëndësishme.
Por, fillimisht ato i diskuton me homologun kosovar, një muaj pasi kryeministri Albin Kurti ishte në Berlin për tema të ngjashme.
Shpalosjen e temave të diskutuara, Scholzit ia vonoi mikrofoni i cili pati probleme teknike për pak çaste.
E, angazhimi në Procesin e Berlinit ishte ndër porositë kryesore që kancelari gjerman u përcolli vendeve të Ballkanit Perëndimor, disa prej të cilave kanë zgjedhur “Ballkanin e Hapur” si alternativë.
Scholz përmendi edhe kushte.
“Ne prioritet të madh i japim tregut të përbashkët rajonal i cili mendoj se duhet të përparojë dhe çështjet që janë brenda tij mund të realizohen dhe të çohen përpara. Është e rëndësishme që të arrihen përparime që janë të arritshme. Të gjithë duan të shkojnë në BE dhe atje edhe ashtu ekzistojnë dhe janë të vlefshme rregullat e lirisë së lëvizjes dhe kushdo që do t’i bashkohet BE-së duhet t’i ndjekë ato”, ka thënë kancelari gjerman Scholz.
Aktivizimin e Procesit të Berlinit, Scholz e paralajmëroi gjatë vjeshtës kur pritet të mbahet samiti i radhës.
Kurse, me urgjencë e kërkoi nënshkrimin e katër marrëveshjeve për lëvizjen e lirë dhe diplomat profesionale pas disa muajsh.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndryshe nga homologët e tij ballkanik, e sheh Procesin e Berlinit si të vetmin opsion.
Kryeministri kërkoi ndihmën liderit gjerman për një nevojë të ngutshme që e ka Kosova.
“Me rëndësi të madhe dhe nevojë urgjente është anëtarësimi i Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe sërish kërkova që Gjermania si anëtare e NATO-s të na mbështesë në rrugëtimin tonë të anëtarësimit në këtë mekanizëm shumë të rëndësishëm të sigurisë”, ka thënë Kurti.
Po aq e rëndësishme sa Procesi i Berlinit, për kancelarin Scholz është edhe njohja e Kosovës nga Serbia. Për ta arritur këtë kërkoi zotimin e të dyja shteteve.
“Është e qartë që marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës sepse është e paimagjinueshme që dy vende të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së. I lus të dyja palët për një zotim të qartë për këtë dialog. Të dy palët duhet ti qasen njëra tjetres dhe punës edhe nëse ajo duket e vështirë”, ka deklaruar Scholz.
Udhëheqësi i Gjermanisë nuk dha ndonjë lajm të ri për liberalizimin e vizave, përveç punës së vazhdueshme të Berlinit me BE-në për këtë proces.
Pas, takimit në Qeveri, Scholz ka vizituar trupat gjermane të KFOR-it, ndërsa më pas ka vazhduar udhëtimin në Serbi.
Nga Prishtina, Scholz i kërkoi Beogradit që t’i vendosë sanksione Rusisë.
Gjatë turneut në Ballkanin Perëndimor, të shtunën Scholz do të vizitojë Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.