Që nga orët e mëngjesit me një autoambulancë ka filluar bartja gjësendeve nga zyra në aneksin e Stacionit Policor Qendra, në Prishtinë.
RTV Dukagjini ka kuptuar se pajisjet nga kjo zyrë po transferohen për në spitalin kryesor në Graçanicë. Në këtë zyrë thuhet se kanë punuar 9 punonjës shëndetësorë të fushave të ndryshme.
Kjo zyrë e organizatës joqeveritare “Centar za Mir i Toleranciju Pristina”, apo “Qendra për Paqe dhe Tolerancë Prishtina”, ishte bastisur më 31 janar të këtij viti, pasi pretendohet se ka funksionuar ilegalisht që nga përfundimi i luftës.
Aty dyshohet se ofroheshin shërbime mjekësore kundërligjshëm.
Atëbotë, sipas ministrit Xhelal Sveçla, kjo OJQ nuk e ka respektuar legjislacionin në fuqi, duke e cilësuar si organizatë që paraqet rrezik për Kosovën…
“Një veprimtari e tillë në mes të tre institucioneve më të larta të sigurisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kryeprokurorisë dhe Policisë së Kosovës është tejet e dyshimtë dhe paraqet rrezik për sigurinë e vendit”, shkruante Sveçla në Facebook.