Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim gjashtë të dyshuar për tentim vrasje në Prizren, duke kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve për kapjen e tyre.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, personat e dyshuar të shpallur në kërkim janë, Abedin Zenel Likaj, Hajdin Zenel Likaj, Shaqir Zenel Likaj, Zenel Abedin Likaj, Isuf Shaqir Likaj, dhe Hajdar Abedin Likaj, të gjashtit nga fshati Krajk i Komunës së Prizrenit.
Po ashtu, në njoftim thuhet se personat kërkohen, për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, “Lëndim i rëndë truporë“, “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve” dhe” Pjesëmarrje në rrahje ” e cila ka ndodhur me 22 maj në fshatin Krajk – Gjonaj të Prizrenit.
“Kushdo që strehon kryesin e ndonjë vepre penale ose e ndihmon atë në shmangien e zbulimit ose arrestimit përmes fshehjes së mjeteve, provave apo në ndonjë mënyrë tjetër mund te dënohet sipas nenit 380 te KPK për VP Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personave të kërkuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.
“Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës: – 192 dhe 080019999 (pa pagesë) – 029 244 -740 –Stacioni Policor Prizren – E-mail adresa: [email protected]”.
11 persona të përfshirë në rastin e plagosjes në Prizren
Policia e Kosovës, më 23 maj, ka dhënë detaje lidhur me plagosjen e së mërkurës në Prizren.
Sipas Policisë, një person është plagosur me armë zjarri e një tjetër është lënduar me mjete të forta, pas një mosmarrëveshjeje mes 11 personash.
Rastin në polici e kishte njoftuar një burrë i cili ka deklaruar bashkë me dy viktimat se është sulmuar me armë zjarri dhe mjete të forta nga tetë persona të dyshuar.
Njëri prej tyre është arrestuar pas një bastisjeje.