Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar Kosovën për zgjedhjen anëtare e asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka miratuar të hënën rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar.
Shumica e vendeve kanë votuar për, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende të tjera kanë abstenuar, në takimin e Asamblesë, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.
“Urime, Kosovë, për zgjedhjen Anëtare e Asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s”, shkroi Begaj në Facebook.
Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme në mes të NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.
Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.
Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asociuara, 4 vende të asociuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.
Anëtarët e asociuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asociuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.
Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.
Aktualisht, anëtare të asociuara janë nëntë – në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Kuvendi i Kosovës, prej vjetësh, është delegacion vëzhgues me dy ulëse. Tani, me avancimin e statusit, do të mund të zgjerohet edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar.