Koalicioni i organizatave studentore UDS-USPE-OPS, i ka fituar zgjedhjet studentore në Universitetin e Prishtinës të cilat janë mbajtur në formën online të premten.
Koalicioni fitues ka marrë rreth 43 përqind të votave, nga 13 mijë studentë që kishin marrë pjesë në votim.
E dytë në garë ka dalë organizata “Studim, Kritikë, Veprim” (SKV), me 26.77% të votave. Organizata reforma është renditur e treta me 21%, pastaj PSUP me 6.75%, kurse e pesta dhe e fundit ISP-UP, ka dalë e pesta me 1.44 % të votave.
Në këtë proces zgjedhor kanë votuar 50.8% të studentëve.
Ndryshe organizata SKV, gjatë ditës së premte ishte ankuar se sistemi online nuk kishte funksionuar si duhet.
Në lidhje me këtë cështje kishte reaguar edhe Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, e cila kishte thënë se nëse problemet do të vazhdonin do të kërkonte që zgjedhjet të ripërsëriteshin.
Parlamenti Studentor është organi më i lartë përfaqësues i studentëve në Universitetin e Prishtinës. Përbërja e Parlamentit Studentor legjitimohet çdo dy vjet, nëpërmjet zgjedhjeve studentore që mbahen në universitet.
Përfaqësuesit e Parlamentit Studentor e kanë për detyrë të paraqesin të gjitha problemet apo kërkesat e studentëve para menaxhmentit të UP-së, me ç’rast shumë kërkesa gjejnë zgjidhje.
Parlamenti Studentor nxit jetën studentore nëpërmjet aktiviteteve kulturore, shkencore e sportive. Nëpërmjet organizimit të klubeve të Parlamentit Studentor, bëhet e mundur zhvillimi i projekteve të ndryshme në kampusin universitar.
Struktura e Parlamentit Studentor përbëhet nga 17 deputetë, 4 prej të cilëve janë pjesë e kryesisë së PS-UP-së, duke përfshirë kryetarin, dy nënkryetarë dhe sekretarin e përgjithshëm.