Në shënim të 25-vjetorit të pranimit të refugjatëve nga Kosova dhe të 15-vjetorit të krijimit të marrëdhënieve diplomatike në mes të dy shteteve, me qëllim të fuqizimit të miqësisë dhe përparimit të projekteve me interes të përbashkët, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë një vizite zyrtare në Kanada ka zhvilluar takim me ministren e Punëve të Jashtme, Melanie Joly.
Gjatë këtij takimi, pasi e falënderoi për mbështetjen që Kanadaja i ka dhënë Kosovës në çlirimin, rindërtimin dhe zhvillimin e saj, Gërvalla e njoftoi homologen e saj rreth situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë.
“Duke theksuar veprimet destabilizuese të Serbisë, e cila sot përbën një rrezik për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropën Juglindore”, thuhet në njoftim.
Gërvalla dhe Joly diskutuan rreth fuqizimit të partneritetit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes së Kosovës, zhvillimit të qëndrueshëm, investimeve strategjike dhe bashkëpunimit në sektorin publiko-privat.
Në fund të takimit, Gërvalla i dhuroi ministres Joly pullën postare, që simbolizon 15-vjetorin e krijimit të marrëdhënieve diplomatike në mes të dy shteteve dhe mirënjohjen për mbështetjen e Kanadasë për Kosovën.