Deputeti i Koalicionit VLEN, Afrim Gashi, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Siç raporton Alsat, për Gashin votuan 76 deputetë, 6 kundër dhe asnjë abstenim.
Gashi ka qenë bartës i listës së deputetëve të VLEN në zonën e dytë zgjedhore.
Deri dje ai ka qenë kryetar i partisë Alternativa.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka uruar Gashin për zgjedhjen e tij si kryetar i kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Ai ka thënë se do të jetë kënaqësi për të që do të punojnë së bashku për të thelluar bashkëpunimin në mes institucioneve parlamentare.
Ai shpreson që marrëdhëniet në mes institucioneve të konsolidohen edhe më tutje.
“Urimet më të përzemërta z. Afrim Gashi, për zgjedhjen e tij si kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut! Do të jetë shumë kënaqësi të punojmë së bashku, për të thelluar bashkëpunimin mes vendeve tona, përfshirë atë të institucioneve tona parlamentare. Mezi pres t’ia nisim punës për të çuar përpara sa më shumë interesat tona të përbashkëta, për të kontribuuar bashkërisht drejt stabilitetit të qëndrueshëm rajonal dhe synimeve euroatlantike. Pres që marrëdhëniet mes institucioneve tona të konsolidohen edhe më tutje”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
Tutje, Konjufca ka thënë se shqiptarët janë jo vetëm shenjë demografie, por edhe demokracie në politikën e Maqedonisë së Veriut.