Liderët e Francës dhe të Gjermanisë kanë thënë të martën se Ukraina duhet të lejohet t’i godasë caqet ushtarake brenda Rusisë, prej të cilave forcat ruse po shkrepin raketa drejt tokës ukrainase.
Megjithatë, presidenti i Francës Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman Olaf Scholz, thanë se caqet e tjera brenda Rusisë nuk duhet të goditen nga Ukraina.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e paralajmëroi Perëndimin më herët të martën se anëtarët e NATO-s në Evropë po luajnë me zjarrin duke kërkuar që Ukraina të lejohet t’i përdorë armët e Perëndimit për ta sulmuar territorin rus.
Kjo, sipas Putinit, do të nxiste konflikt global.
“Ne e mbështesim Ukrainën dhe nuk duam përshkallëzim. Kjo nuk ka ndryshuar”, tha Macron gjatë një konference të përbashkët me Scholzin në Meseberg, Gjermani.
“Ne mendojmë se duhet t’i lejojmë ata që t’i neutralizojnë zonat ushtarake nga të cilat po shkrepën raketat; zonat ushtarake prej të cilave po sulmet Ukraina. Por ne nuk duhet t’i lejojmë ata t’i godasin caqet e tjera në Rusi, as zonat e tjera ushtarake e civile në Rusi”, shtoi ai.
Scholz tha se pajtohet me Macronin dhe se Ukrainës i lejohet ta mbrojë veten përderisa i respekton kushtet e vendeve nga të cilat furnizohet me armë, si dhe derisa e respekton ligjin ndërkombëtar.
“Ukraina e ka çdo mundësi me ligj ndërkombëtar për atë që po e bën. Kjo duhet të theksohet. M’u duket e çuditshme kur disa njerëz argumentojnë se ajo nuk duhet të lejohet ta mbrojë veten dhe të ndërmarrë veprime të përshtatshme për këtë”, tha Scholz.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha për Economist se vendet anëtare të aleancës duhet ta lejojnë Ukrainën të sulmojë thellë brenda Rusisë me armë perëndimore.
Ky qëndrim është mbështetur nga disa vende anëtare nga Evropa, por jo edhe nga Shtetet e Bashkuara.
Edhe në Gjermani ka ngurrim për këtë, për shkak të druajtjeve se kjo luftë mund të përshkallëzohet në një konflikt më të gjerë.
Scholz nuk ka pranuar t’i dërgojë Kievit raketa me rreze të gjata veprimi, Taurus, të cilat kanë mundësi të arrijë deri në Moskë./Radio Evropa e Lirë