Pas mbylljes së gjashtë njësive të Bankës Postare Kursimore në veri të Kosovës, policia sot ka hyrë sërish në zyrat e njërës prej këtyre selive në Mitrovicë të Veriut.
Këtë e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini, zëvendësdrejtori i Policisë në rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili tha se ndërhyrja ka të bëjë me një kasafortë për të cilën nuk ka pasur çelës në aksionin paraprak.
Ai tha se aksioni ka përfunduar pa incidente.
“Kemi hyrë sërish sot për një kasafortë që nuk ka pasur çelës në aksionin paraprak. Aksioni përfundoi pa incidente”, ka deklaruar Elshani.
Më 20 maj, Policia e Kosovës mbylli gjashtë objekte të institucioneve financiare të Serbisë në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.
Gjatë aksionit, policia tha se konfiskoi në total mbi 2.2 milionë euro – në mesin e tyre edhe dinarë, franga dhe dollarë amerikanë e australianë.
Aksioni u zhvillua pak ditë pasi Banka Qendrore e Kosovës bëri të ditur se periudha transitore për zbatimin e rregullores së saj, që e ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ka skaduar.
Ndaj aksionit reaguan ndërkombëtarët që e cilësuan veprimin si “përshkallëzues të tensioneve”, teksa qeveria u shpreh se çdo veprim ka qenë i bazuar mbi ligjshmërinë.