Trupi gjykues urdhëron ZPS-në që të përshpejtojë paraqitjen e provave në rastin Thaçi e të tjerët

Në seancën gjyqësore, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, urdhëroi Zyrën e Prokurorit të Specializuar që të detajojë masat për përshpejtimin e paraqitjes së provave në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, ka marrë disa vendime lidhur me dëshmitarët dhe provat që synon që të nxjerrë Zyra e Prokurorit të Specializuar në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Vendimet kanë dalë si rrjedhojë e parashtrimeve në konferencën për ecurinë e çështjes gjyqësore të 27 majit 2024 në këtë rast.

Fillimisht, trupi gjykues, urdhëroi ZPS-në që palët t’i njoftojë në mënyrë të hollësishme për të gjitha masat që do t’i ndërmarrin për shkurtimin dhe përshpejtimin e paraqitjes së provave të veta.

“Trupi gjykues urdhëron ZPS-në që të njoftojë trupin gjykues, palët dhe pjesëmarrësit sa i takon njoftimit të mëtutjeshëm për racionalizimit e provave të veta jo më vonë se 16 shtatori 2024 dhe presim të na japin në mënyrë të hollësishme dhe të çartë të gjitha hapat dhe masat që do të ndërmarrë ZPS-ja për të shkurtuar me tej dhe të përshpejtuar paraqitjet e provave të veta. Në këtë moment, pasi t’i marrim këto, trupi gjykues do të organizojë një konferencë për ecurinë e çështjes gjyqësore për të diskutuar më tej këtë aspekt dhe për të dëgjuar parashtrimet e palëve sa i takon njoftimit që do marrim nga ZPS-ja”, ka thënë kryegjyqtari.

Gjithashtu, ai urdhëroi ZPS-në që të shqyrtojnë mundësinë që seancat përgatitore të kryhen edhe në distancë.

“ZPS-ja urdhërohet të shqyrtojë mundësinë për kryerjen seancave përgatitore në distancë ose fizikisht në vendbanimin e dëshmitarëve kur është e mundur për të përshpejtuar procesin në kuadër të përgatitjes dhe nxjerrjes së shënimeve përgatitore. Trupi gjykues e ka parasysh që ky proces mund të jetë veçanërisht i përshtatshëm sa i takon dëshmitarëve të krimit, dëshmitarëve të cilët kanë deklarata dhe intervista të kufizuara, mbase edhe dëshmitarëve që kryesisht shërbejnë për të konfirmuar dëshmi të tjera”, ka thënë gjyqtari.

Charles Smith III obligoi mbrojtjen që të bëjë njoftime brenda një ditë në rast se ka ndryshime të kohës për kundërpyetjet që i kanë parashikuar për dëshmitarët, e po ashtu ZPS-ja duhet të ndërmarrë hapa të nevojshme që për aq sa është e mundshme të mos çojnë dëm asnjë ditë për të cilën kanë planifikuar që ta mbajnë në sallën e gjyqit.

“Mbrojtja duhet të japë parashikime kohore realiste sa u takon kundërpyetjeve brenda tri ditësh pune pasi marrin njoftim për bllokun e radhës të dëshmitarëve që do të thërrasë ZPS-ja. Sa u takon dëshmitarëve që do të fillojnë të japin dëshmi me 24 qershor të 2024, mbrojtja do të duhet të na japë këtë përllogaritje kohore jo më vonë se 12 qershor 2024”, ka thënë tutje Smith III, transmeton Betimi për Drejtësi.

Ai ka shtuar se për kundërpyetjet e mbrojtjes, në rast se vlerëson trupi gjykues mund t’i reduktojë e po ashtu edhe të vendosë kufij.

“Trupi gjykues do të rishikojë kohën që ka kërkuar mbrojtja dhe kur të jetë e nevojshme do të bëjë edhe parashikimet e veta për kohë të përshtatshme për kundërpyetjet dhe mund të vendos kufij nëse është e nevojshme kjo. Në rastet kur trupi gjykues vlerëson që është e nevojshme të reduktohet koha e nevojshme për kundërpyetjet e dëshmitarëve, do të ua komunikojë këtë në kohë palëve dhe pjesëmarrësve. Ky kufi kohor që do të përcaktojë trupi gjykues, do t’i shërbejë si bazë ZPS-së për të planifikuar dëshmitarët e radhës. Veç kësaj, mbrojtja do të duhet të përgatisë kundërpyetjet në bazë të afateve kohore që do të përcaktojë trupi gjykues dhe mund të kërkojë kohë shtesë për kundërpyetjet dhe do të duhet të japi argumentim për këtë”, ka thënë ai.

Pos kësaj, ZPS-ja u obligua se në rast që del në përfundim se nuk do të thërrasë ndonjë dëshmitarë të caktuar, ta njoftojë menjëherë trupin gjykues dhe mbrojtjen. Kurse, për dëshmitarët e krimit, ai udhëzoi ZPS-në që të ketë parasysh që të dorëzojë dëshmitë e tyre në bazë të rregullës 153.

“Sa u takon dëshmitarëve të krimit, ZPS-ja udhëzohet të këtë parasysh mundësinë për të dorëzuar dëshminë e tyre në bazë të rregullës 153. Trupi gjykues vëren se kjo dispozitë është veçanërisht e dobishme për rastet kur; a) dëshmia e propozuar është kryesisht, ose ekskluzivisht e natyrës konfirmuese, ose b) kur dëshmia në fjalë nuk është e kontestuar. Përpara se të bëhen kërkesa sipas rregullës 153, ZPS-ja duhet të konsultojë fillimisht ekipet e mbrojtjes për të parë nëse mund të ketë kundërshtime prej tyre”, ka thënë ai.

Veç të tjerash, ZPS-ja u urdhërua që të japë një planifikim të hollësishëm se si planifikon t’i paraqesë provat e veta siç kishte planifikuar deri më 1 prill 2025.

“Ky plan duhet t’i jepet trupit gjykues në mënyrë ex parte dhe jo me vonë se 21 qershori 2024. Në këtë do të ketë informacion të hollësishme si në vijime; 1) dëshmitarët që planifikon t’i thërras ZPS-ja gjatë kësaj periudhe kohore dhe t’i ketë të rendit përkatës, 2) orët që mendon se do të i nevojiten për pyetje vetë prokurorisë, 3) Cilët dëshmitarë do të jenë sipas rregullës 153 dhe, 4) cilët do të jenë sipas rregullës 154, 5) Cilët dëshmitarë të mbetur do të  përdorën sipas rregullës 155 për periudhën e mbetur kohore, 6) çdo mocion jo gojor apo mocione të tjera që do të dorëzohen në këtë periudhë, 7) Cili prej këtyre dëshmitarëve do të jetë me video-lidhje dhe 8) të artikulojnë çdo faktor që mund të kenë ndikim negativ në zbatim të planifikimit të propozuar”, tha gjyqtari.

Gjyqtari ka shtuar se në momentin që merr këtë planifikim nga ZPS-ja, do të marrë vendim nëse do t’ia japë mbrojtjes së të akuzuarve dhe atij të viktimave.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika