Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka njoftuar se profesori universitar, Mensur Neziri, do të jetë kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Neziri i ka dhënë Shtimes një alternativë serioze drejt avancimit dhe ngritjes së mirëqenies së qytetarëve dhe të zhvillimit ekonomik.
“Vizionit tonë për Kosovën e sigurt dhe të zhvilluar po i bashkohen profesionistë të shumtë, të dëshmuar në shumë fusha e me një përvojë të pasur institucionale dhe akademike. Ardhja e Prof. Mensur Nezirit në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, i ka dhënë Shtimes një alternativë serioze drejt avancimit dhe ngritjes së mirëqenies së qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik”, ka thënë Haradinaj.
Kreu i AAK-së i ka shprehur përkrahje Nezirit në kandidaturën për deputet.
“Kisha kënaqësinë që me prof. Mensurin, të bisedojmë për proceset që na presin dhe zhvillimet e fundit në degën e Aleancës në Shtime. I shpreha përkrahjen pa rezervë në rrugën tonë të përbashkët dhe i urova suksese në kandidaturën e tij për deputet në Kuvendin e Kosovës”, është shprehur Haradinaj.