Këshilli i Bashkimit Evropian pritet të nënshkruajë marrëveshje me Serbinë për vendosjen e patrullave nga Agjencia Evropiane e Rojave Kufitare (FRONTEX) në territorin serb.
Marrëveshja e re do të mundësojë operacione të përbashkëta për menaxhimin e migrimit ilegal dhe luftimin e krimeve tejkufitare, duke përfshirë dislokimin e ekipeve menaxhuese kufitare të FRONTEX-it në Serbi.
Serbia ndodhet në të ashtuquajturën “Rrugë Ballkanike”, e cila, pavarësisht rrethojave, kamerave të vëzhgimit dhe patrullave të përbashkëta kufitare, është rruga e dytë më aktive e migrantëve, sipas raporteve të FRONTEX-it.
“Marrëveshja do t’u mundësojë BE-së dhe Serbisë që të organizojnë operacione të përbashkëta që do të përfshinin FRONTEX-in dhe gardën kufitare të Serbisë. Kjo, po ashtu, do të thotë se ekipet menaxhuese kufitare të FRONTEX-it mund të dislokohen në Serbi. Ato do t’i ndihmojnë Serbisë për të menaxhuar valët e migrimit, të veprojë kundër imigrimit të paligjshëm dhe të luftojë kundër krimeve tejkufitare”, thuhet në njoftimin e Këshillit të BE-së, transmeton Radio Evropa e Lirë.
BE-ja edhe deri më tash ka pasur një marrëveshje bashkëpunimi me Serbinë për këtë çështje, por ajo mundësonte veprimet e FRONTEX-it vetëm në kufijtë e vendeve të BE-së me Serbinë.
Marrëveshja e re do të mundësojë vendosjen e FRONTEX-it brenda territorit të Serbisë.
BE-ja ka marrëveshje të ngjashme edhe me Moldavinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Shqipërinë.
FRONTEX është agjencia e BE-së përgjegjëse për zbatimin e menaxhimit të integruar evropian të kufijve, funksionimin efektiv të kontrollit kufitar në kufijtë e jashtëm të BE-së në koordinim me autoritetet kombëtare të shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve të Shengenit (Islanda, Zvicra, Lihtenshtajni dhe Norvegjia).