Afrim Gashi, i cili është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ka dhënë një deklaratë të rëndësishme lidhur me qeverisjen dhe bashkëpunimin midis partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Në një prononcim për Radio Dukagjinin, Gashi ka theksuar se është e rëndësishme të përmirësohet kultura politike në vend.
Ai ka shprehur vullnetin e tij për të krijuar raporte të mira me eksponentë të të gjitha partive politike, duke përfshirë edhe BDI-në.
Si kryetar i Kuvendit, Gashi ka potencuar detyrën e tij për të bashkëpunuar ngushtë me të gjitha partitë, duke u përpjekur që Kuvendi të ndihet si i veti për secilin prej tyre, pavarësisht nëse janë në opozitë.
Gashi ka shprehur dëshirën për të kultivuar frymën e bashkëpunimit ndërpartiak për të krijuar një atmosferë më të mirë politike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
“Duhet ta përmirësojmë kulturën politike në vend. Jam munduar që të kem raporte shumë pozitive me eksponentë të të gjitha partive politike edhe me të BDI-së, tash si kryetar kuvendi e kam edhe obligim, por mbi të gjitha e kam vullnet që të bashkëpunoj shumë ngushtë me ta, do të jem shumë i hapur. Kuvendin dua t’ua ofrojë atyre që ta ndjejnë si të vetin dhe secila parti ta ndjejë ashtu pavarësisht se do të jenë pjesë e opozitës, është detyrë e imja që si kryetar i kuvendit që të gjithë deputetët ta ndjejnë parlamentin të barabartë. Do të kisha dashur bashkëpunim shumë të mirë me ta dhe dora ime është e shtrirë për bashkëpunim. Ne mund të kemi dallime ideologjike, partiake e kështu me radhë, por mbi të gjitha jemi shqiptarë, kemi shumë gjëra të përbashkëta dhe gjithmonë kur kemi pasur qëllime të përbashkëta si çështja e integrimit të vendit në NATO, avancimi i gjuhës shqipe, gjithmonë kemi qenë të gjitha partitë politike shqiptare bashkë prandaj mendoj se dua ta kultivoj këtë frymë, dua ta ngrisë këtë në një nivel edhe më të lartë për shkak se mendoj që është në shëndetin e mirë politik brenda shqiptare që ne të krijojmë raporte të mira mes vete”, u shpreh ai.
Mbajtja e këtij posti për Gashin është një privilegj, por mbi të gjitha një përgjegjësi e madhe.
Derisa Maqedonia e Veriut njihet si një shtet multietnik, i përbërë nga disa komunitete, sipas Gashit kjo e bën demokracinë e vendit të ndjeshme dhe të nevojshme për kujdes të veçantë.
“Të qenit e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut është privilegj por mbi të gjitha është përgjegjësi shumë e madhe. E dini që është një shtet multietnik i përbërë prej disa komuniteteve… është një demokraci pak më fragjile dhe duhet të ndërtohet me shumë kujdes. Që atëherë nuk ka pasur kryetar të parlamentit shqiptar prej fillimit të demokracisë… unë e kam marrë me përkushtim dhe devotshmëri këtë punë. Uroj që t’ia dalim mbarë dhe suksesshëm në interes të të gjithë qytetarëve, shqiptarëve, shtetit e rajonit”, shtoi ai, përcjell portali Dukagjini.
Kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, thotë se synimi i tij është të paraqesë një përkushtim të plotë ndaj Kushtetutës, ligjit dhe rregullores së vendit.
Ai thotë se sfida e tij personale është të ndryshojë perceptimin e qytetarëve rreth funksionimit të parlamentit.
“Duhet të punojmë në bazë të Kushtetutës, ligjit dhe rregullores të Maqedonisë së Veriut, ashtu siç e parasheh Kushtetuta, duhet të punojmë ndershëm dhe me legalitet, nga aspekti politik. Unë dua Kuvendin e Maqedonisë ta ngre në një nivel shumë më të lartë të performancës nga të gjitha dimensionet qoftë nga aspekti ligjvënës, qoftë nga aspekti i mbikëqyrjes së parlamentit mbi qeverinë, por edhe hapjes së këtij institucioni ndaj qytetarëve, organizatave joqeveritare dhe ta shndërrojmë parlamentin në një agorë të demokracisë… sfida ime do të ishte që ta ngremë në këtë nivel performancen e kuvendit. Dua ta ruaj dinjitetin e secilit deputet të secilës parti politike, duhet ta përmirësojmë perceptimin se deputetët vijnë ulen në karrige dhe marrin paga pa bërë punë”, tha ai.