Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se ka kopjuar logon zyrtare e cila do të përdoret si simbol për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Abazi ka thënë se kjo logoja është marrë nga muri i një prej restoranteve të kryeqytetit.
“Kreativitet i limituar! Kjo logo për 25 Vjetorin është e kopjuar nga muri dhe motivet e restaurantit “Bukë e Zemër”! A thua kush është kopjuesi dhe pse pikërisht kjo… Kryeministri nuk ka lejuar që të formohet komisioni parlamentar hetimor për rastin e rezervave shtetërore”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten, ka thënë se për logon janë frymëzuar nga historia dhe kultura, dhe se përfshin motivet tradicionale “të rifreskuara me dizajn modern”.
Kurti publikon logon e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës
“Aty shohim profilin e pëllumbit të bardhë që simbolizon paqen e lirinë, si dhe simbolin e shqiponjës dykrenare e vigjilente, që është e ngulitur thellë në historinë e identitetin tonë kombëtar”, ka shkruar Kurti në Facebook.