Sadiku: Jemi për hapjen e urës mbi lumin Ibër, por të gjendet koha më e volitshme

"Nuk jam kundër hapjes Urës së Ibrit, por të gjendet koha më e volitshme", ka deklaruar Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës, Skender Sadiku

Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës, Skender Sadiku, ka thënë se është pro hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër për trafik, por se duhet të bëhet në një kohë më të volitshme.

Në një deklaratë për mediat, Sadiku pas kërkesës së asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të zbatohet vendimi për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për trafik, ka thënë se kjo ide është dhënë nga Kuvendi Komunal që në prill të 2023-ës.

Ai tha se ura duhet të hapet, njerëzit duhet të jetojnë bashkë, por shton se ura është beton dhe se problemi është se njerëzit janë “të ndarë në kokë”.

Siç theksoi ai, ura nuk është nën juridiksionin e Kuvendit Komunal dhe as nuk ruhet nga ai, por nga karabinierët.

“Në prill të 2023 kemi dhënë një ide që të hapet ura, ndamja është më e madhe te njerëzit se te betoni. Jemi në kahje të kundërt të proceseve që po ndodhin. Prej fillimit të vitit nuk kemi pas mundësi të lëvizim lirshëm, në këtë qytet të vogël, të shkosh me automjet të kalosh gjitha urat e botës, kurse në këtë qytet të vogël nuk mund ta kalosh urën e Ibrit, është bërë një apel, asambleja komunale ka shprehur vullnet të lirë që të hapet për gjitha komunitetet”, ka deklaruar Sadiku.

Sipas tij, kjo urë duhet të jetë simbol që i bashkon qytetet e që i largon mendësitë.

Sipas tij, hapja e urës është edhe në juridiksionin e Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe KFOR-it dhe se për këtë ka edhe marrëveshje të Brukselit.

“Fati në fatkeqësi është që kjo urë nuk varet vetëm nga ne, por kjo çështje është edhe e institucioneve të sigurisë. Ne, si kuvend, kemi bërë pjesën tonë. Duhet të hapemi me njëri-tjetrin”, ka vijuar Sadiku.

Ndryshe, gjatë seancës së Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje më 31 maj kërkuan që të zbatohet vendimi për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për trafik.

Asamblistja e LVV-së, Aida Ferati-Doli, tha se çështja e urës mbi Ibër ishte diskutuar në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian më 2015 dhe “është mbyllur kjo çështje”. Sipas saj, çështja e urës i takon dy komunave, të Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut si dhe Republikës së Kosovës.

“Vendimi që e kemi marrë vitin e kaluar, nuk duhet të kthehet asnjëherë mbrapsht. Gjithsesi, qytetarët e kanë parë deklaratën dhe kanë filluar të pyesin kur do të hapet dhe do të thotë janë shumë të entuziazmuar dhe të gëzuar për këtë çështje”, tha ajo gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal më 31 maj.

Në seancë, kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, tha se është për hapjen e urës, për lëvizjen e lirë “sipas standardeve evropiane”. Ai tha se zbatimi i vendimit për çështje e urës është i obligueshëm për autoritetet lokale.

“Ne e përkrahim çdo lëvizje, ura s’na duhet si simbolikë, por na duhet për bashkëjetesë mes komuniteteve”, tha ai.

Seanca e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut ka vazhduar pa praninë e mediave.

Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, thotë se çështja e urës mbi lumin Ibër duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut në Bruksel.

Shija e redaktorit

VV e PDK lëshojnë sallën, dështon votimi i buxhetit të...

Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë braktisur mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, e cila kishte si...

Boksieri shqiptar Roberto Bakaj fiton meçin me nokaut

Roberto Bakaj ka shënuar fitore në meçin e zhvilluar në Harrow Leisure Center. Bakaj ashtu si vëllai i tij arriti ta nokautoj kundërshtarin, Shaban Hamadi...

Amarildo Bakaj fiton meçin me nokaut

Amarildo Bakaj ka shënuar një tjetër fitore në boksin profesionist. 25-vjeçari arriti fitore ndaj kundërshtarit, Mawuli Folivi në meçin e zhvilluar në Harros Leisure Center. Bakaj...

Të fundit nga rubrika