Dokumentet i ka kompletuar dhe të njëjtat po i dorëzon në zyrën e Komunës së Hanit të Elezit.
Por, paraprakisht, Blerim Masallanit po i duhet të plotësoj një formular, në të cilin, do të tregoj për dëmet që iu bënë nga breshëri i 23 majit.
“Dëmet i kam në veturë, kulmin e shtëpisë por edhe në serë. Dëmi përafërsisht mundet më kanë deri në 600 euro”, ka thënë banori i Hanit të Elezit, Blerim Masallani.
Ngjashëm si ky, në sportelin e zyrës për shërbimin ndaj qytetarëve, ata që po dorëzojnë këto dëshmi, janë të shumtë.
Nga breshri i së enjtes, dëme pësuan edhe persona jashtë territorit të kësaj komune.
“Mbi 350 aplikacione janë dorëzua, dëmet kryesisht janë në shtëpi, vetura, kopshte e pullaze të shtëpive. Kemi nga Shkupi, Mitrovica e Ferizaj, persona që iu është dëmtuar vetura, janë rreth 30 persona jo rezident”, është shprehur Ali Rexha-Zyrtar për shërbim me qytetarë.
Shkak i numrit të madh të banorëve që po dorëzojnë dëshmitë e dëmeve, zyrtarët komunal tregojnë që kanë lënë afatin e dorëzimit deri me 30 maj, por, kjo datë, mund edhe të shtyhet.
Ndonëse ende nuk është bërë verifikimi, sipas Kryetarit të Komunës, dëmet mund të kapin vlerën nga 500 mijë deri në 1 milion euro.
Ai, shpreh zhgënjimin me Qeverinë e Kosovës.
“Na e kemi dorëzu kërkesën edhe të Kryeministri edhe të Ministri i Mbrojtjes, kemi kërkuar ndihmë qysh ditën e dytë kur ka ndodhë breshri, pastaj edhe ndihmë për kompensim, besoj që do të përsërisim emailin e njëjtë, pasi nuk ka pas një përgjigje”, ka thënë Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi.
Lidhur me kërkesën publike të kësaj komune për kompensim, Zyra e Kryeministrit, nuk ka kthyer një përgjigje për televizionin.