Në fund të tetorit të vitit 2023, Qeveria e Kosovës kishte marr vendim që të ndahet një shumë prej 1 milion e 600 mijë euro për ndërmarrjen “Trepça”.
E vetëm dy muaj para këtij vendimi, “Trepça” Sh.A përfitoi edhe 1.13 milion euro nga Ministria e Ekonomisë.
Të gjitha këto mjete, u ndanë në momente kritike për ndërmarrjen, kur nuk kishte mundësi financiare as për pagesën e punëtorëve.
Por, sa ka qenë shuma totale e ndarë gjatë tri viteve të fundit, nga Ministria e Ekonomisë, tash e disa ditë nuk kanë dhënë një përgjigje.
Derisa Ministria hesht, kritik ndaj kësaj forme, po shprehet ish-kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu.
“Nuk mund të rimëkëmbet Trepça më infuzione financiare, duhet profesionalizëm, duhet planifikim dhe menaxhim. Të gjitha milionat që po investohen po bëhen për të shëruar por jo për ta këndellur Trepcën. Duhet të ketë teknologji, fuqi të re që do të kthej reputacionin e Trepçës. Nuk jetohet duke pasur investime milionëshe, derisa kapaciteti i saj të jetë 50%”, ka thënë ekonomisti, Safet Gerxhaliu.
Se këto investime nuk ndihmojnë në rivitalizimin e kësaj ndërmarrje që dikur kishte nam në Kosovë, e thotë edhe ekonomisti, Adhurim Haxhimusa.
“Rehabilitimi i Trepçës ka një qasje tjetër nga institucionet përgjegjëse të Kosovës. Ajo, nuk mund të ngritet në vendin që duhet pa një strategji gjithëpërfshirëse, aktiviteti i saj ngërthen shumë sektor të tjerë të ekonomisë. Prandaj, milionat që jepen dhe janë dhënë, janë vetëm sa më ruajt status-quon e saj, ringjallja e saj, kërkon një strategji më të detajuar jo kështu,” tha ekonomisti Adhurim Haxhimusa.
Në shkurt të 2023-ës, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi se ekzekutivi qendror mori vendim për një kredi për “Trepçën” në shumë prej 20 milionë eurosh, me të cilat parashihej të bëhej rivitalizimi i ndërmarrjes.
Por, një vit pas kjo ende nuk është realizuar.