Pak para fillimit të Forumit të parë Ekonomik Kosovë-Turqi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u mirëprit nga ministri turk i Tregtisë, Omer Bolat.
Në takim u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe ekonomike dhe tregtare dhe u trajtuan mundësitë dhe hapat e mundshëm përpara për thellimin e mëtejmë të tyre dhe rritjen e investimeve të dyanshme.
“Forumi Ekonomik që po mbahet sot në Stamboll dhe nënshkrimi i Deklaratës së Përbashkët për Themelimin e Komisionit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar (JETCO), nesër në Ankara ndërmjet ministrit Bolat dhe ministres së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, janë disa prej hapave konkretë në këtë drejtim”, thuhhet në njoftimin e zyrës së kryeministrisë.
Në Stamboll sot po mbahet Forumi i parë Ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
Krahas kryeministrit Kurti, aty po marrin pjesë edhe përfaqësues të tjerë nga kabineti qeveritar, në mesin e tyre, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani dhe zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku