Zyrtarët e inteligjencës së Francës besojnë se Rusia qëndron prapa ngjarjes të së shtunës te Kulla e Ajfelit, ku janë vendosur pesë arkivole të mbështjella me flamuj francezë dhe me mbishkrimin “ushtarët francezë të Ukrainës”.
Siç raporton “BBC”, tre burra janë parë duke arritur me furgon rreth orës 09:00 të shtunën.
Policia kapi me shpejtësi shoferin që pretendoi se ishte paguar 40 euro nga dy të tjerë për t’i transportuar arkivolet. Ai vetë kishte arritur në Paris vetëm një ditë më parë nga Bullgaria.
Më vonë, policia i kapi edhe dy të tjerë në stacionin e autobusëve Bercy në qendër të Parisit. Ata po synonin të hipnin në një autobus për në Berlin.
Ata i thanë policisë se ishin paguar 400 euro për t’i dorëzuar arkivolet, sipas mediumeve franceze.
Policia tha se shoferi ishte bullgar dhe dy të tjerë ishin ukrainas e gjerman.
Zyrtarët thanë se hetimet ishin duke u zhvilluar “për të parë nëse kjo ishte organizuar nga jashtë”.