Ish-deputeti, Gani Geci, ka deklaruar se vite më parë ka pasur një konfrontim në mes tij dhe Mimoza Kusari Lila, atë kohë si kryetare e Komunës së Gjakovës.
Geci në “Debat Plus” deklaroi se arsyeja e konfrontimit të tij dhe Kusari Lilës ka qenë refuzimi i tij konkret për ngritjen e përmendores në qytetin e Gjakovës.
“Mimoza Kusari Lila, në vitin 2013 kam pasur konfrontim. Mimoza Kusari Lila ka marrë një vendim sa ishte kryetare e Gjakovës të ngritet përmendorja e Fadil Hoxhës, si komunist jugosllav, hero jugosllav. Përmendorja e Fadil Hoxhës do të rrijë në Gjakovë derisa ta dhezi unë bagerin dhe vij në Gjakovë. E kisha bo, edhe nëse e kisha ditë nëse m’kishin vra”, deklaroi Geci.
Geci theksoi se arsyeja e refuzimit të tij personalisht për ngritjen e përmendores së Fadil Hoxhajt kanë qenë plagët që i ka shkaktuar ai në kohën e komunizmit shqiptar në familjen e tij, qoftë në pushkatimin e babgjyshit të tij, Halil Bajraktari dhe shtatë anëtarëve të Bajraktarëve. Geci ritheksoi se edhe ndalimi i shkollimit dhe shkaku i vuajtjeve të mëdha kanë qenë disa arsye të kundërshtimit të përmendores së Fadil Hoxhës.
“Në 6 janar 1945 Fadil Hoxha dhe Ali Shukriu e kanë pushkatuar babgjyshin, Halil Bajraktarin dhe vrasin shtatë anëtarë të familjes Bajraktari të Llaushës. Djegin gjitha shtëpiat. Babai im mbetet 9-vjeçar. Për të gjithë ne ka qenë iri, njerëz më të këqij dhe kemi vuajtur shumë, nuk na kanë lënë me u shkollu. Fadil Hoxha e ka vrarë edhe mixhën e babës së Ardian Gjinit, Bedri Gjini nga Gjakova. Ka vrarë dhe tre të tjerë. I ka arrestuar edhe babain e Faruk Spahiut, Mulla Ilaz Brojën ndërsa edhe katër të tjerë.”, deklaroi ai.
Tutje, Gani Geci ka folur për bisedën telefonike të Mimoza Kusari-Lilës me Milan Radojçiqin.
“LVV dhe PDK janë një brumë, janë një brumë edhe sa i përket këtyre bisedave me Radoojçiqin ose me pjesën veriore, ose edhe me LPK-në, sepse e kanë si brumë LPK-në,” tha Geci.
Duke shtuar se Kusari është konvertuar nga të gjitha partitë.
“Mimoza Kusari është e konvertuar nga të gjitha partitë rend deri te LVV-ja dhe në vitin 2013 unë kam pasur një konfrontim me Mimozën për përmendoren e Fadil Hoxhes, që në vitin 2013 Mimoza Kusari e ka marrë një vendim që të ngritet përmendorja e Fadil Hoxhes, komunistit Jugosllav,” shtoi Geci.