Ish-nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Refki Morina, vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Turqi dhe specifikisht në kompaninë e dronëve Bayraktar e ka quajtur kthesë të rëndësishme për vendin dhe raportet Kosovë – Turqi.
Në emisionin “FIVE”, Morina ka thënë se vizita e Kurtit në Turqi dhe takimi i tij me presidentin e këtij shteti, Rexhep Taip Erdogan, është kontinuitet i bashkëpunimit në mes të dy vendeve.
“Vizita e Kurtit në Turqi, takimi i tij me Erdoganin, kontinuitet i shtetësisë së Kosovës dhe bashkëpunimit të Kosovës me Turqinë. Turqia mbetet një ndër vendet mike tona, biseda ma shumë se njëorëshe mes tyre, ka filluar etapë e re e zhvillimeve ekonomike në fushën e sigurisë në mes të Kosovës dhe Turqisë”, ka deklaruar Morina.
Sipas tij, vizita e Kurtit në fabrikën e prodhimit të dronëve në Turqi është mesazh që do të ketë hapa të mëtutjueshëm edhe në ushtri edhe në polici dhe çështjet ekonomike në tërësi.
Ai këtë vizitë e cilëson edhe mesazh për vendet që dëshirojnë të destabilizojnë Kosovën.
“Në fabrikën e dronëve dhe nënshkrimi i marrëveshjeve për armatim, mesazh se ushtria e Kosovës vazhdimisht armatoset, kjo vizitë bën që të kemi hapa të mëtutjueshëm edhe në ushtri edhe në polici edhe çështjet ekonomike në tërësi. Me këtë i jepet mesazh Serbisë dhe vendeve tjera që mundohen ta destabilizojnë vendin. Derisa ushtria serbe vazhdimisht armatoset nga aleatët e vetë, Rusia e Kina, shtetet e Ballkanit vazhdimisht janë të interesuara të armatosen”, ka vijuar ai.
Po ashtu, edhe ish-diplomati, Sylë Ukshini, vizitën e Kurtit në Turqi e ka cilësuar si lëvizje të mirë për thellimin e partneritetit në mes të dy vendeve.
“Turqia vend me peshë në rrafshin rajonal dhe ndërkombëtar e multirateral ka bërë punë të madhe edhe sa i përket njohjeve”, ka deklaruar Ukshini.
Ai ka thënë se vizita e Kurtit është vazhdimësi e vizitave të mëhershme të krerëve të shtetit.
Ndryshe, dje, kryeministri Albin Kurti është takuar me vëllezërit pronarë të kompanisë së dronëve Bayraktar TB-2 në Turqi, duke bërë të ditur se ka vizituar edhe prototipin e avionit luftarak pa pilot të kësaj kompanie.
Kurti ka shkruar në Facebook të hënën se kompania turke është pioniere në industrinë e mbrojtjes dhe të aviacionit, duke theksuar se Kosova i ka në arsenalin e saj këto lloj dronësh.