Gjatë javës së ardhshme pritet që shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, të dorëzojë raportin lidhur me mundësinë e heqjes së masave ndaj Kosovës, merret vesh nga burimet mirë të informuara në Bruksel.
Ky raport duhet t’iu dorëzohet shteteve anëtare të cilat më pas shqyrtojnë nëse janë pjekur kushtet për heqjen e masave, të cilat BE i kishte vendosur vitin e kaluar.
Akoma mbetet e paqartë nëse Borrell do të rekomandojë qartazi heqjen e masave që do ndihmonte marrjen e vendimit në këtë drejtim.
Burimet diplomatike qartësojnë se gjithçka do vret nga terminologjia si dhe qasja të cilën shefi i diplomacisë evropiane do e përdorë në raport.
Nëse ai do i referohet vetëm kërkesave të cilat BE i kishte parashtruar autoriteteve të Prishtinës në qershor të vitit të kaluar e të cilat kishin të bëjnë me hapat drejt de-përshkallëzimit të lidhura me procesin zgjedhor në katër komunat e veriut, atëherë, këto burime konsiderojnë se rekomandimi për heqjen e masave është i mundshëm.
Sidoqoftë, veprimet e fundit lidhur me operacionet policore në institucione financiare të Serbisë në veri, pritet të përmenden në raport. Këtë e ka konfirmuar më herët edhe zëdhënësi i BE-së Peter Stano. Mirëpo gjithçka do varet nga ajo se në çfarë konteksti do përmenden këto operacione.
Burimet e informuara lidhur me përpilimin e raportit tërheqin vërejtjen se masat janë vendosur për arsye specifike, dhe në të rast edhe rekomandimi për heqjen e tyre do duhej të bohet pikërisht mbi këto arsye.
Dorëzimi i raportit, qoftë edhe me rekomandim të qartë nuk nënkupton heqjen e menjëhershme të masave. Ky raport vetëm do iu shërbej vendeve anëtare që ta kthejnë këtë çështje ne agjendë dhe në periudhën në vijim, të nisin të shytojnë mundësinë e heqjes së masave.
Raportin e Borrellit e kishin kërkuar ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së, në debatin e parë ku është diskutuar heqja e masave, pak ditë pas votës së përsëritjes në veri, që u mbajt më 21 prill. Atëbotë shumica e shteteve anëtare u shpreh pro heqjes së masave dhe e vetmja paqartësi ishte e lidhur me të nëse masat duhet të hiqen krejtësisht apo në mënyrë graduale.
Ndryshe, masat ndaj Kosovës ishin vendosur në mesin e muajit qershor të vitit të shkuar si reagim i Brukselit ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale në katër komunat e veriut.
Në mes tjerash u suspenduan takimet me zyrtarët kosovar, pos tyre takimeve që adresonin krizën; u suspenduan takimet ne kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit; u suspenduan fondet nga instrumentet e pra-anëtarësimit si dhe u nuk u morën përsysh projektet që i dorëzoi Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor./RTK