Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se në takimin me Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë kanë diskutuar për heqjen e masave eventuale të BE-së ndaj Kosovës dhe për zhvillimet rreth anëtarësimit të Kosovës në KiE.
Pas përfundimit të këtij takimi në deklarimin e tij, Rohde ka lënë të kuptohet se së shpejti do të merren vendime, siç tha ai “për ta zhbllokuar situatën”.
“Patëm një takim miqësor dhe të mirë për çështjet aktuale, Këshillin e Evropës, heqjen e masave dhe kam treguar pozicionin e Gjermanisë si partner i ngushtë i Kosovës në Evropë dhe së shpejti do të kemi vendime të cilat e zhbllokojnë situatën”, ka deklaruar Rohde.
Edhe kryetarja e komisionit, Arbreshë Kryeziu-Hyseni ka thënë se tema fokus e këtij takimi ka qenë çështja e largimit të masave ndaj Kosovës.
“Kemi diskutuar në veçanti për çështjen e largimit të masave. Ky takim ka ardhur si nismë disa takimeve te tjera që do ti kemi me ambasadorë për t’iu bashkuar thirrjes për heqjen e masave”.
E pyetur nëse ambasadori gjerman ua konfirmoi se Borrell javën e ardhshme do ta dorëzojë te shtetet anëtare raportin për çështjen e masave, Kryeziu tha se mund të ketë lëvizje.
Ajo ka paralajmëruar takime të tilla edhe me ambasadorë të shteteve tjera të QUINT-it.
Më herët u raportua se gjatë javës së ardhshme pritet që shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, të dorëzojë raportin lidhur me mundësinë e heqjes së masave ndaj Kosovës.
Javën e ardhshme pritet të dorëzohet raporti për masat ndaj Kosovës