Publicisti Veton Surroi, ka rrëfyer disa pjesëza të historisë dhe ideve të viteve 1988, 98 e 90-ta në “Debat Plus”.
Surroi foli për idenë që Jugosllavia të zhbëhet me metoda demokratike e jo me luftë. Sipas tij këto lëvizje qëllim kishin që të fillonin reformimin e Jugosllavisë dhe të hapej një rrugë për demokratizimin e saj.
“Ideja e UJD-it, ishin intelektual eminentë. Ata u ulën e analizuan kushtetutën e Jugosllavisë, dhe thanë guxojmë të formojmë një shoqatë, e cila ka për qëllim të transformohet në mënyrë demokratike Jugosllavia. I ka pasur dy gjëra themelore, e para ka qenë të ndryshohet kushtetuta e Jugosllavisë dhe e gjitha republikave dhe krahinave, që të hiqet monopoli i lidhjes komunizmit të Jugosllavisë. Të hapet debati për ardhmërinë e Jugosllavisë në mënyrë të padhunshme, edhe zhbërja e Jugosllavisë të bëhej në mënyrë të padhunshme me referendume etj”, tha ai.
Kjo ide sipas Surroit morri jetë edhe në Kosovë, në vitin 1989, ku vetë ai e kishte marrë përgjegjësinë për themelimin e një shoqate sipas tij që do hapte rrugë për pluralizmin në Kosovë ngjashëm siç ishte bërë në Kroaci.
“Kjo ishte një ide që filloi herët nuk kishte mundësi të arrestoheshin njerëz si Horvati si figura intelektuale. Kur u pa që kjo lëvizje po forcohet, po artikulohet u bë përkëledhja përmes anëtarëve të parë, Shkëlzen Maliqit dhe Muhamedin Kullashit që të hapet edhe këtu. Është viti 1989, është viti i represionit të jashtëzakonshëm, pas shumë përpjekjeve qëlloi që unë ta marrë përgjegjësinë e themelimit të kësaj shoqate në fund të vitit 1989, ta hapim derën e pluralizmit në Kosovë ashtu sic ishte bërë në Kroaci, fillimisht ka qenë kjo shoqatë pastaj…”, tha ai.
Kjo shoqatë sipas tij “ka pasur aktivitet të kufizuar, dhe intenca e shoqatës ka qenë të hapë shtigje”.
Surroi theksoi se qëllimi i shoqatës UJDI, ishte organizatë që synonte të krijonte aleanca për Kosovën me Slloveninë, Kroacinë e madje edhe me “zërat e arsyeshëm” brenda Serbisë.
“Përfundi idealit dhe iluzionit është një përllogaritje e ftohtë, e kjo tregon kështu. Kosova ka nevojë për aleanca brenda Jugosllavisë, sepse është okupuar nga Millosheviqi, aleancat janë në Kroaci Slloveni, aleanca është bota demokratike, atë aleancë mund ta fitojmë nëse e krijojmë një kod të sjelljes nëse është e barabartë me republikat e avancuara me Kroaci e slloveni. Nëse ato thonë se është e mundur konfederata në Jugosllavi, dhe ne themi është e mundur konfederata”, tha ai.
Surroi foli edhe për 2 korrikun datë e cila sipas tij nuk e merr vlerën e merituar.
“Kemi pas një lëvizje juridikisht me 2 korrik, është një datë që nuk shënohet, ka qenë hera e parë që kuvendi i kosovës ka deklaruar me vullnet synimin për mëvetësi, dhe anulimin e vendimit që janë bërë në dëm dhe kundër vullnetit të tij”, tha ai.
Ai u shpreh se kjo lëvizje kishte për qëllim që të mos shpërthente lufta në Kosovë në vitin 1990. Sipas tij nëse do bëhej një gjë e tillë Kosova nuk do përkrahej nga ndërkombëtarët.
“Lëvizja jonë ka qenë për avancim qoftë edhe me iluzionin që nuk është e mundur zhbërja e Jugosllavisë pa dhunë. Ne nuk ishim ata që mund të diktonim një rend të ngjarjeve ne ishim ata që kishim obligim historik që mos ta sjellim luftën në kosovë në vitin 1990. Po të fillonte lufta në Kosovë në vitin 1990, e për këtë ishte përgatitur ushtria jugosllave, dhe narracioni i separatizmit i shkonte për shtat, Kosova nuk do kishte përkrahje ndërkombëtare sepse lufta kundër separatistëve do kishin legjitimitet ndërkombëtar”, tha ai.
Ai theksoi se në atë kohë pra në vitet e 90-ta Kosova duhet të krijonte një simpati ndërkombëtare dhe të krijoheshin “një sërë aleancash brenda Jugosllavisë, në kuptim pozitiv edhe në Serbi ku ishte e mundur”.