Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) u ka bërë thirrje konsumatorëve që furnizohen me energji elektrike nga KESCO që të lidhin ose rinovojnë kontratën e furnizimit me kompaninë.
KESCO u ka apeluar qytetarëve që të paraqiten pranë zyrave të saj, tek Kujdesi për Konsumatorë dhe ta kryejnë këtë proces.
“Rregullimi i marrëdhënieve kontraktuale me furnizuesin është proces i thjeshtë dhe i lehtë për konsumatorët. KESCO ka filluar takimet dhe vizitat me konsumatorët shtëpiakë dhe ata biznesorë për ti përditësuar të dhënat e tyre e njëkohësisht edhe duke i informuar mbi procedurat”, ka njoftuar KESCO.
Ndërsa, në njoftim të KESCO-s tutje thuhet se në rast se këtë procedurë nuk e kryejnë brenda dy javësh prej kur janë informuar, konsumatorët mund të shkyçen nga rrjeti elektrik.