Të dielën e 12 qershorit, janë shënuar 23 vjet nga vendosja e 50 mijë ushtarëve të NATO-s në Kosovë dhe bashkë me ta, edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.
Përvjetori i kësaj ngjarjeje do të shënohet me aktivitete të shumta në Prishtinë dhe në komuna të tjera të vendit, duke përfshirë homazhe nga krerët shtetërorë te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, veprimtarit Adem Demaçi, Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, nderim te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s, gjatë shërbimit në operacionin e KFOR-it në Kosovë.
Ndër të tjera, pritet të mbahet një performancë e Orkestrës Frymore të FSK-së dhe Togut Ceremonial të FSK-së, nga Sheshi “Skënderbeu” deri te Sheshi “Zahir Pajaziti”, si dhe manifestimi qendror “Nga Eksodi në Liri” te Treni Muze, në Bllacë të Hanit të Elezit, nën përkujdesjen e Presidencës së Republikës së Kosovës.
Më 12 qershor 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë, në Serbi dhe në Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës KFOR, duke shënuar fundin e luftës, pothuajse dyvjeçare, midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.
E vlerësuar nga ata që e konsideruan si ditë çlirimi, dhe si një ndër ditët më të mëdha të historisë së Kosovës, 12 qershori, megjithëse jo e njohur si festë zyrtare, është një ditë kur nga ushtarakë dhe diplomatë botërorë do të mbahet mend si një ditë gati konfrontimi midis Perëndimit dhe Rusisë, një ditë siç thuhej, ‘që do të mund të niste Luftën e Tretë Botërore.’
Forcat speciale të Norvegjisë dhe ato të Shërbimit Special Ajror Britanik ishin Ushtarët e parë të NATO-s që hynë në Kosovë më 12 qershor. Këta të fundit, u gjetën ballë për ballë me trupat e Rusisë, të cilët një ditë më parë, ‘befasisht’ kishin marrë Aeroportin e Prishtinës me qëllimin e ndarjes së Kosovës.
Hyrja e NATO-s ktheu në Kosovë mbi një milionë shqiptarë.
Deri tani, afër 500 mijë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të shumë vendeve kanë shërbyer në Kosovë.
Me rastin e kësaj dite që njihet edhe si Dita së Paqes, Ministria e Mbrojtjes, në cilësi të organizatorit, ka publikuar agjendën e aktiviteteve të planifikuara për ditën e sotme.
Agjenda:
08:30 – Homazhe nga krerët shtetërorë te varri i presidentit Ibrahim Rugova;
08:40 – Homazhe nga krerët shtetërorë te varri i veprimtarit Adem Demaçi;
09:30 – Homazhe nga krerët shtetëror në Prekaz te varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari;
10:30 – Nderim i krerëve shtetëror te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s gjatë shërbimit në operacionin e KFOR-it në Kosovë;
11:20 – Performancë e Orkestrës Frymore të FSK-së dhe Togut Ceremonial të FSK-së – nga Sheshi “Skënderbeu” deri te Sheshi “Zahir Pajaziti”;
12:00 – Manifestimi Qendror “Nga Eksodi në Liri” te Treni Muze, në Bllacë të Hanit të Elezit, nën përkujdesjen e Presidencës së Republikës së Kosovës.