Katër shtetas të Kosovës aktualisht janë në paraburgim në Serbi. Në mesin e tyre edhe Hasan Dakaj.
Ai është arrestuar më 5 janar 2024 dhe gjendet në Qendrën e paraburgimit në Beograd dhe deri më tash nuk i është ngritur aktakuzë.
Ai dyshohet nga Prokuroria e Serbisë për krime lufte.
Avokati i Hasan Dakaj, Dragan Llaboviq, i tha Radio Dukagjinit se nevojiten maksimalisht edhe gjashtë muaj hetime për t’u ngritur aktakuza.
Ai u shpreh se sipas ligjeve të Serbisë, nevojiten një vit për ngritje të aktakuzës, derisa theksoi se tani kanë kaluar gjashtë muaj dhe mbeten edhe gjashtë të tjerë.
“Unë jam Dragan Lllaboliq, mbrojtësi i Hasan Dakajt, për momentin hetimet janë si fazë e procesit, sipas ligjit penal të Serbisë, besoj edhe ligjit penal në Kosovës, nuk është e lejuar të japim detaje të hetimeve dhe procedimit në cilën fazë janë hetimet. Në përgjithësi mundem me thënë se shkon procedimi për neve si mbrojtje po shkon mirë, hetimet janë edhe gjashtë muaj, sipas ligjit 1 vit zgjatin hetimet, duhet me qenë pjesëtarë aktiv në këtë procedim, sipas ligjit besoj që do kryhen edhe këto hetime.
Deri në vjet për këto vepra penale, që janë më të rënda që është parathënie dënimi më I gjatë me burg, hetimet janë të kufizuara një vit. Edhe 6 muaj munden me zgjatë, nuk do thotë se zgjatin nëse ka kushte munden edhe me u ndërpre edhe aktakuza mundet me u tërheq nëse nuk gjenden prova”, tha ai për Radio Dukagjinin.
Hasan Dakaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është arrestuar në janar në pikën kufitare Merdare. Prokuroria për Krime Lufte e Serbisë e akuzon atë për bashkëpunim në krime lufte kundër popullatës civile.