Në ditën e katërt të Panairit të librit ”Prishtina 2024”, në stendën e shtëpisë botuese “Dukagjini” ishte i pranishëm autori i librit “Komploti”, Ben Blushi.
Për rreth një orë, autori ka takuar lexuesit e tij, të cilët edhe patën rastin ta merrnin librin të nënshkruar.
“Takime të ngrohta, diskutime rreth librit e shkëmbime idesh na përcollën gjatë këtij takimi të këndshëm”, kanë bërë të ditur nga shtëpia botuese “Dukagjini”.
Riza Krasniqi pas takimit të tij me autorin Blushi, ka thënë se “Ky është një libër që duhesh me fjetë me të. Për këtë autor ia vlen të vish jo vetëm prej Pejës, por edhe më larg”.
“Komploti”, është një roman futurist, me ngjarjet që zhvillohen në vitin 2044, kohë kur në Shqipëri është krijuar një komunitet i madh afgan, ndërkohë që popullsia shqiptare është pakësuar mjaft.
Afganët, që tashmë thuajse janë shndërruar në shtet brenda shtetit, kërkojnë të pushtojnë Kosovën për të krijuar një shtet më të madh ose një Afganistan të ri në mes të Evropës.
Me një gamë të gjerë titujsh të rinj e ekskluzivë, shtëpia botuese “Dukagjini” është duke u prezantuar në Panairin e 24-t të Librit në Prishtinë i cili çeli dyert më 5 qershor, e po vazhdon të mirëpres çdo ditë vizitorë, deri më 9 qershor, kur edhe do të bëhet përmbyllja e kësaj ngjarje.
Deri më 9 qershor librat e shtëpisë botuese “Dukagjini” mund ti gjeni në stendën e saj në Panairin e librit Prishtina 2024” me 30% zbritje në të gjitha botimet për fëmijë, 40% zbritje në kolanën “Anima” dhe deri në 50% zbritje në të gjitha botimet e tjera të “Dukagjini”-t.