Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në manifestimin qendror “Nga Esksodi në Liri” te Treni Muze, në Bllacë të Hanit të Elezit, ka bërë thirrje për liberalizim të vizave, dhe integrim të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
“Orientimin do ta kemi përpara…Sot, Evropa rilind në një Kosovë të integruar në familjen e BE-së, andaj liberalizimi duhet të ndodhë sa më parë, e Kosova të bëhet pjesë e strukturave euroatlantike aty ku e ka vendin”, ka thënë Osmani.
Ajo ka theksuar se 23 vjet më parë, ky kompozicion i trenit, sikurse edhe shumë të tjerë, ishin mjetet me të cilat, Kosova u zbraz pothuajse plotësisht nga banorët e saj.
“Afër 1 milion shqiptar të Kosovës gjatë marsit ‘99 e tutje, dhunshëm u dëbuan nga regjimi gjenocidal serb në shtetet fqinje e deri te shtet e Evropës. Eksodi i përmasave biblike kishte vetëm një qëllim nga ana e Serbisë e atëhershme, shfarosjen e popullit shqiptar dhe spastrimin etnik të Kosovës”, ka thënë Osmani.
Ndër të tjera, Presidentja ka përmendur edhe prezencën e njërës nga gratë përjetuese të asaj kohe, Sherife Lutën, duke e cilësuar atë si një grua të fortë.
“Me vajzën e saj 6 muajsh në krah ajo kishte qenë pjesë e karvanit të refugjatëve, të cilët serbët i dëbuan me dhunë nga shtëpitë, duke i detyruar të iknin në Maqedoni. Kjo grua është Sherife Luta, dhe me fotografinë e saj që ka bërë gjiro në ballinat e mediave botërore, ishte bërë portreti i Kosovës asaj kohe, por edhe i grave stoike. 23 vjet më parë ëndrra e saj, por edhe të gjithë banorëve të Kosovës nisi të bëhej realitet, kur trupat e NATO-s zbarkuan në tokën e Kosovës”, u shpreh Osmani.
Osmani ka theksuar se më 12 qershor 1999, vrasësit përfunduan jashtë Kosovës, e forcat paqeruajtëse hynë në Kosovë, duke bërë që qytetarët e dëbuar me dhunë të fillojnë të kthehen në shtëpitë e tyre.
Sipas saj, atë ditë u shënua fillimi i një shteti të ri.
Në fund, Osmani ka falënderuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe NATO-n. Njëherësh, ajo ka thënë se drejtësia për gratë e dhunuara, të zhdukurit dhe viktimat civile nuk do të reshtë së kërkuari.
Sherife Luta asokohe ishte 22-vjeçare dhe mbante në gji vajzën e saj 6-muajshe, Besën. Ditën e 8 marsit 1999, ajo ishte një grua që doli nga shtëpia me foshnjën dhe babanë e saj për t’i shpëtuar granatimeve të serbëve në fshatin Ivajë të Kaçanikut.
Fotoja e saj bëri bujë në mediat botërore.