Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka njoftuar se është gjetur personi i cili ishte humbur dje në zonën e qendrës skitare të Brezovicës.
Sipas njoftimit personi i cili kishte humbur ishte shtetas i huaj.
“Në orët e vona të mbrëmjes së datës 08.06.2024 ShKShMK ka pranuar një thirrje emergjente nga një shtetas i huaj. Personi në fjalë gjatë një aktiviteti bjeshkatar në zonën e qendrës skitare të Brezovicës ( luginën e majës së Livadheve) , në llogaritje jo të duhur të kohës dhe mungesë të pajisjeve adekuate, shkaku i errësirës kishte humbur orientimin”, thuhet në njoftim.
Ekipi i ShKShMK i përbërë me anëtarë nga stacioni i Prizrenit dhe i Gjilanit menjëherë kanë identifikuar pozicionin e tij gjeografik dhe janë nisur për kërkimin e tij.
“Pas një kohë të shkurtë është bërë lokalizimi i personit të humbur, i cili kishte mbetur i bllokuar në një greminë ndër majën e Livadheve. Fatmirësisht gjendja e tij shëndetësore ka qenë stabile, por në mungesë të veshmbathjes adekuate ka pasur të ftohtë. Të humburit i është dhëna ndihma e parë duke e ngrohur dhe ushqyer, pastaj është evakuuar deri te patrulla e policisë në qendrën skitare të Brezovicës.”
ShKShMk ka bërë apel tek bjeshkatarët dhe vizitorët e maleve në RKS dhe rajon që të kenë kujdes në planifikimin e aktiviteteve të tyre dhe të posedojnë pajisje adekuate.