Liderët e tri partive opozitare, PDK, LDK e AAK, kanë injoruar ftesën e Presidentes së Kosovës, për manifestimin qendror “Nga Eksodi në Liri” te Treni Muze, në Bllacë të Hanit të Elezit.
Në këtë manifestim, i cili është organizuar nën patronatin e Presidencës së Kosovës, nuk morën pjesë liderët e tri partive opozitare, Memli Krasniqi, Ramush Haradinaj dhe Lumir Abdixhiku.
Megjithëse zyra e Presidencës u kishte dërguar ftesat të tre liderëve, ata nuk u panë sot në këtë manifestim.
Telegrafi tregon se ka provuar të kontaktojë me të tre liderët opozitarë, për të mësuar arsyen se përse nuk ishin pjesëmarrës në këtë manifestim, por të njëjtit, deri tani nuk janë përgjigjur.
Ndër të tjera, Osmani dhe Kurti sot në mëngjes kanë bërë homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe ish-veprimtarit për çështjen kombëtare, Adem Demaçi, si dhe tek ushtarët e rënë të NATO-s, në Kosovë.