Kishte qenë paralajmërim i Ministrisë së Financave që kujdesi të rritej ndaj informatave të rreme të cilat kishin për qëllim keqinformimin e përfituesve të skemave pensionale në Kosovë me qëllim përfitimi.
Televizioni Dukagjini kishte raportuar ekskluzivisht për një thirrje që u ishte bërë pensionistëve për kompensimin e pensionit sipas indeksit të jetesës, e që rezultoi të ishte mashtrim.
E pre e tij duket të kenë rënë edhe Shoqata e Pensionistëve në qytetin e Obiliqit.
Përfaqësuesi i të njëjtës, shprehet bindshëm se njoftimi për kompensimin e pensionit sipas indeksit të jetesës kishte qenë iniciativë e Odës së Avokatëve, prej nga edhe kishte pranuar njoftimin.
“Kjo inicativë ka rrjedh prej Odës së Avokatëve të Kosovës. Ata e kanë marrë këtë iniciativë. Na kanë njoftu nëpër 30 komuna në Kosovë që me i njoftu pensionistët me përgatit dokumentacion për me e gëzu një të drejtë të tyre që ua mundëson ligji për skemat pensionale, e ajo shumë keq se n’televizion ka dal Ministria ka thënë që është mashtrim e nuk e zbaton ligjin që ka qenë e obliguar me zbatu”, ka deklaruar Mustaf Rushiti, sekretar organizativ i Lidhjes së Pensionistëve në Obiliq.
Por, Oda e Avokatëve mohon të ketë pasur gisht.
“Jo absolutisht, është e pasaktë. Sidomos pretendimi që ka pas diçka të organizume prej Odës së Avokatëve. E ripërsëris, në qendrën e pensionistëve ka mundur të paraqitet edhe avokat i cili si çdo profesionist i licensuar ka të drejtë të ofrojë shërbime me kërkesën e klientit dhe në përputhje me ligjin për Kodin e Etikës por që, Oda të ketë dërgu dikë për t’u marrë në mënyrë kolektive me organizim qoftë grupor, tërësi për pensionistët në përgjithësi, nuk është i saktë”, deklaroi Besnik Berisha, Kryetar i Odës së Avokatëve.
Lidhur me raportimet, Policia e Kosovës, me datë 13 maj 2024 pranoi autorizim nga Prokurori kompetent lidhur me dyshimet mbi mashtrimet e mundshme ndaj pensionistëve të Republikës së Kosovës.
E nga Prokuroria, kanë deklaruar se hetimet janë në zhvillim.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, sipas detyrës zyrtare, ka autorizuar Policinë e Kosovës në ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim të grumbullimit të provave dhe informatave lidhur me këtë çështje. Në këtë fazë nuk mund të japim informata të tjera”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë .
Dukagjinit i është konfirmuar disa ditë më parë edhe nga Ministria e Financave se çfarëdo thirrje lidhur me kompensimin e pensionit sipas Kostos së jetesës e lëshuar nga dikush tjetër, paraqet mashtrim.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve sigurohet të njoftojë qytetarët dhe opinionin publik përmes kanaleve zyrtare për çdo informacion të ri në interes për pensionistët me kohë dhe në mënyrë transparente, ashtu siç kemi bërë në të kaluarën. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton të gjithë qytetarët dhe përfituesit e skemave pensionale që informatat e qarkulluara janë të pasakta dhe përbëjnë informacion të rremë me qëllim mashtrimi. Prandaj, të gjitha informatat që nuk janë komunikim zyrtar i lëshuar nga Qeveria apo ministria përkatëse, në lidhje me temën në fjalë, janë të pavërteta dhe mund të përbëjnë skema mashtruese apo edhe tendencë për keqpërdorimin e të dhënave personale. Lidhur me këtë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve fton qytetarët të jenë të kujdesshëm ndaj informacioneve të rreme që po qarkullojnë këto ditë, të cilat kanë për qëllim keqinformimin e përfituesve të skemave pensionale në Kosovë. Gjithashtu, ftojmë qytetarët që rastet e tilla kur ju premtohen shuma të parave në këmbim të një pagese, t’i paraqesin edhe tek organet e rendit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.