Kryediplomatja Donika Gërvalla, gjatë mbrëmjes të së dielës, e ka pritur ish-kryeministrin britanik, Tony Blair.
Gërvalla ka thënë se Blair është njëri ndër figurat e nismës për ndaljen e luftës dhe të gjenocidit në Kosovë.
“Mbrëmë pata privilegjin e jashtëzakonshëm t’i uroj mirëseardhjen në Republikën e Kosovës ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe, Tony Blair.
Gjatë luftës ai u shqua si mbështetësi më i fuqishëm i popullit të Kosovës dhe çlirimit të tij, duke qenë ndër figurat kryesore të nismës së përbashkët të 19 shteteve anëtare të NATO-s për ndaljen e luftës dhe gjenocidit në Kosovë. Si mik i madh i Kosovës, z. Blair do të marrë pjesë në shënimin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës nga okupatori serb. Sot, ai do t’iu drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës në një seancë solemne”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.