Konservatorët dominojnë listën e kandidatëve për president të Iranit

Kandidatët për president të Iranit: Mostafa Pourmohammadi, Amirhossein Ghazizadeh Hashemi, Saeed Jalili, Masoud Pezeshkian, Alireza Zakani dhe Mohammad Bagher Qalibaf

Krahu i ashpër konservator i Iranit kontrollonte çdo levë të pushtetit në këtë vend, gjatë presidencës së Ebrahim Raisit.

Pavarësisht vdekjes së tij në një aksident me helikopter muajin e kaluar, dominimin pritet ta ruajë po i njëjti krah.

Këshilli i fuqishëm i Gardës miratoi gjashtë kandidatë për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 28 qershor. Pesë prej tyre janë të linjës së ashpër konservatore dhe vetëm një është reformist.

“Siç edhe pritej, regjimi iranian nuk është i gatshëm të marrë ndonjë rrezik në zgjedhjet e ardhshme dhe të lejojë një skenar që, potencialisht, do ta sfidonte dominimin e unifikuar të kampit të vijës së ashpër dhe konservatore”, thotë Hamidreza Azizi, nga Instituti Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.

Krahu i ashpër konservator dominon prej kohësh institucionet kryesore në Iran, anëtarët e të cilave emërohen drejtpërdrejt nga udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

Në vitin 2020, ky krah mori kontrollin e Parlamentit, pas skualifikimit masiv të kandidatëve të moderuar dhe reformistë.

Përvetësimi i pushtetit prej tij përfundoi në vitin 2021, kur Raisi u zgjodh president.

Vëzhguesit thonë se zgjedhjet e ardhshme presidenciale ka të ngjarë të jenë një luftë e drejtpërdrejtë midis dy linjave të ashpra: kryetarit të Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, dhe ish-kryenegociatorit për çështje bërthamore, Saeed Jalili, njëherësh përfaqësues i Khameneit në Këshillin e Lartë të Sigurisë Kombëtare.

“Këto janë, edhe njëherë, zgjedhje shumë të projektuara”, thotë Azizi.

“Ajo që orkestruesit e zgjedhjeve duan të kenë, është një konkurrencë e menaxhuar në mes të besnikëve”, shton ai.

Kandidatë të tjerë për president nga krahu i ashpër konservator janë: kryebashkiaku i Teheranit, Alireza Zakani, deputeti Amir Hossein Qazizadeh Hashemi, dhe ish-ministri i Brendshëm dhe i Drejtësisë, Mostafa Purmohammadi.

I vetmi reformist i miratuar si kandidat për president është ish-ministri i Shëndetësisë, Masud Pezeshkian, por, sipas vëzhguesve, ai përbën rrezik më të vogël për krahun e ashpër konservator.

Të moderuar dhe reformistë të shquar që u regjistruan për të kandiduar në zgjedhje, përfshirë ish-kryeparlamentarin Ali Larijani dhe ish-zëvendëspresidentin Eshaq Jahangiri, u skualifikuan.

Larijani dhe Jahangiri kishin “potencial – së paku në njëfarë mase – për të mobilizuar popullatën” dhe “për t’i shkaktuar dhimbje koke regjimit”, thotë Azizi.

Sipas vëzhguesve, mungesa e një gare relativisht konkurruese do ta dëmtojë edhe pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje.

Në tri palë zgjedhjet e fundit të mëdha në Iran – vend me rreth 88 milionë banorë – kishte pjesëmarrje rekorde të ulët.

Pjesëmarrja zyrtare në zgjedhjet parlamentare të marsit ishte rreth 41 për qind, megjithëse kritikët thanë se numri real ishte edhe më i ulët.

Ekspertët thonë se rënia e pjesëmarrjes nënkupton hendek në rritje midis klerikëve në pushtet dhe popullsisë së re të Iranit – pjesa më e madhe e së cilës kërkon liri më të mëdha sociale dhe politike.

“Unë dyshoj se shoqëria do të kthehet në kutitë e votimit. Besoj se trendi i shmangies së tyre do të vazhdojë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Mohammad Mohebi, komentues politik me bazë në Iran./Radio Evropa e Lirë 

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika