Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, teksa ka kujtuar intervenimin e Aleancës Veriatlantike (NATO), për ta ndaluar gjenocidin ndaj shqiptarëve në Kosovë, ka uruar që përvjetori i ardhshëm të festohet bashkë me ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët gjenden në paraburgim, në Hagë.
Ai, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se secili përvjetor i çlirimit të Kosovës rikujton sakrificën e madhe të popullit kosovar për liri.
“Duke u uruar qytetarët e Kosovës për këtë ditë historike, lus zotin që përvjetorin tjetër ta festojmë së bashku edhe me ish-luftëtarët e UÇK-së që sot padrejtësisht gjenden në Hagë”, ka shkruar Pacolli.
Po ashtu, Pacolli i cili ka qenë ish-president i Kosovës, ka falënderuar shtetet perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ndalën shfarosjen e popullit.
“Në këtë ditë të madhe për vendin, kujtojmë sakrificën e dëshmorëve dhe atyre që u flijuan për këtë vend dhe njëkohësisht duke shprehur falenderimin e thellë për botën demokratike me në krye SHBA-në që ndalën shfarosjen e një populli të tërë”, shtoi Pacolli.
Ndryshe, të dielën e 12 qershorit, janë shënuar 23 vjet nga vendosja e 50 mijë ushtarëve të NATO-s në Kosovë dhe bashkë me ta, edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.
Bombardimet e NATO-s kundër Serbisë nisën më 24 mars 1999 dhe zgjatën 78 ditë.
Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë kishte për qëllim ndalimin e spastrimit etnik ndaj kosovarëve. Pas bombardimeve të NATO-s u mundësua kështu, kthimi i mbi 800 mijë refugjatëve kosovarë në vendlindje.