38 lëndime të freskëta e 12 thyerje janë plagët që ishin evidentuar në trupin e 18 vjeçares Marigona Osmani gjatë ekzaminimit nga ekspertë të Mjekësisë Ligjore.
Këto lëndime e ndjera i kishte përjetuar sa ishte gjallë në gushtin e vitit 2021. Për mënyrën se si kishte ardhur deri tek vdekja e saj, edhe njëherë në gjykatë është paraqitur eksperti mjeko ligjor, Naim Halili, në rastin ku të akuzuar janë Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu.
“Ne e kemi përshkruar se vdekja e së ndjerës ka ardhur si pasojë e lëndimeve të shumëfishta… Përndryshe quhet politraumë të cilat kanë ardhur si pasojë e dëmtimit të organeve vitale trupore e krejt këto kanë qenë të shkaktuara nga mjetet mprehtëse”, ka thënë Haliti.
E kryetari i trupit gjykues u interesua për dhimbjet që mund t’i jenë shkaktuar viktimës.
“Tek ky rast duke mos e paragjykuar, dhimbjet kanë mundur të jenë posaçërisht të rënda sepse lëndimet kanë qenë të rënda.. ose dhimbje të rënda, kurse lëndimet unë e sqarova sepse te gjitha kanë qenë të shkaktuara për së gjalli dhe vdekjeprurëse disa prej tyre”, ka deklaruar Haliti.
Derisa, avokati mbrojtës i Dardan Krivaqës, pyeti se pse nuk janë bërë analiza toksikologjike dhe se cili do të mund të ishte ndikimi i tyre në këtë rast.
“Për temën për analizat toksikologjike a mundet me ndiku një shkallë e lartë e toksinës e hashashit dhe promodol në nxënie të frymës…”, ka deklaruar Skender Musa.
“Çdo toksinë që ndodhët mund të shkaktojë asfiksi, por në rastin konkret s’mund të paragjykojë”, ka deklaruar eksperti i IML-së, Haliti.
Ndërkohë që avokati i familjes së viktimës pati një pyetje, e cila edhe nxiti reagimin e avokatit të Krivaqës, i cili tha se nuk duhet të ketë inate në këtë rast.
“38 hematoma dhe 12 thyerje që janë konstatuar a munden këto me u shkaktu nga doza e vogël e mariuanës në gjak?”, ka thënë avokati Gazmend Rexhepi.
Madje avokati i Krivaqës kërkoi nga trupi gjykues që analizat toksikologjike të dërgohen jashtë shtetit dhe që i njëjti t’i nënshtrohet edhe njëherë ekzaminimit psikiatrik, por u refuzuan nga Gjykata.
Dardan Krivaqa e Arber Sejdiu janë duke u përballur edhe njëherë me drejtësinë, meqë aktgjykimi me të cilin Krivaqa u dënua me burgim të përjetshëm e Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim, u rrëzua nga Gjykata e Apelit.