Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, njëherësh e mbijetuara e masakrës së vitit 1999 në Podujevë, është emocionuar gjatë fjalimit të saj në Kuvend, me rastin e shënimit të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Bojujevci u përlot derisa foli për 12 qershorin e vitit 1999, duke thënë se “Para 25 viteve, isha një vajzë e brishtë, gjysmë e gjallë, me zemër të thyer që nuk kisha pjesën më të madhe të familjes…më falni”, tha Bogujevci, e përlotur.
Ajo u duartrokit nga të gjithë në Kuvend, ku tha se ndihet e privilegjuar dhe shumë krenare që i shërben vendit.
“Por, sot para jush dhe bashkë me ju ndihem e privilegjume e shumë krenare që i shërbej popullit dhe vendit tonë. Çdo 12 qershor festoj bashkë me ju fitoren e humanitetit përballë mizorisë”, vijoi fjalimin.
Bogujevci tha se edhe pas 25 vjetësh, Serbia ende nuk ka kërkuar falje dhe nuk ndjen keqardhje për gjenocidin që ka kryer në Kosovë.
Kuvendi i Kosovës është duke e mbajtur një seancë solemne më 12 qershor për nder të 25-vjetorit të Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur forcat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë.