Ish komandanti i UÇK-së i Zonës Operative të Llapit, Fatmir Humolli, në “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka folur për Çlirimin e Kosovës më 1999 dhe kontributin e ish-presidentit Ibrahim Rugova në këtë proces.
Humolli ka thënë se Ibrahim Rugova është pjesë e politikës paqësore.
Ai në mënyrë metaforike ka thënë se “ai[Rugova] ka hy në arë me prashit një ren, por masi e ka prashitë atë ren, për mendimin tem u ul e ka pushue, e ka vazhdu UÇK-ja”.
Kosovën e kanë çlirua ata të cilët kanë qenë të shtypur
Humolli ka thënë se Kosovën e kanë çliruar ata të cilët e kanë nisur luftën, përkatësisht ata të cilët kanë qenë të shtypur dhe ata që kanë besuar që kanë mundësi me u çliru prej pushtuesit serb.
Humolli ka thënë se lufta kundër pushtuesit serb ka filluar kohë më parë, fillimisht ka qenë “luftë ideologjike-politike dhe luftë e armatost është një segment i luftës çlirimtare kundër pushtuesit serb”.
Ai ka thënë se popullata shqiptare ka qenë kundër pushtuesit vazhdimisht dhe në vitet e ’90-ta sipas tij është “një kryengritje e krejt popullit tonë kundër pushtuesit serb”.
“Nuk e njofin më shtetin dhe institucionet serb. Ndërtojnë institucionet paralele kundër pushtuesit serb. Kulminacioni i luftës çlirimtare është luftë e armatost e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku i ka detyrue dhe i ka mobilizu krejt faktorët kundër pushtuesit serb”, ka thënë Humolli.