Gjatë parakalimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policisë së Kosovës për shënimin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, kryetari i AAK-së dhe ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinaj, u vendos që të ulet në fund të skenës. Kjo çështje ka ngjallur diskutime, të cilat u komentuan nga njohësi i protokollit shtetëror, Tomor Avdija.
Avdija theksoi se renditja e personaliteteve në bazë të rëndësisë është një praktikë e zakonshme. Ai sqaroi se ish-kryeministrat dhe ish-presidentët kanë përparësi për shkak të statusit të tyre, por ata nuk mund të vendosen në të njëjtin pozicion me zyrtarët aktualë.
“Këtu merren mendime, sepse në bazë të rëndësisë së personaliteteve bëhet renditja. Haradinaj e ka statusin e ish-kryeministrit, këta kanë përparësi, ish-presidenti e ish-kryeministri. Po ata nuk mund të vendosen me zyrtarët aktualë. Ata vendosën në një pozicion tjetër për shkak se zyrtari kryesor, kryeministër për momentin është Kurti. Këta vendosen në vende të barabarta, por jo në vende ku janë ata që janë në detyrë”, ka thënë Avdija në emisionin “Rreth e Rrotull” të Dukagjinit.
Ai vuri në dukje se organizimi ka pasur pakujdesi dhe theksoi se shteti ka mangësi të mëdha në protokollin shtetëror. Avdija shpjegoi se ka kërkesa specifike për pozicionimin e personaliteteve gjatë ngjarjeve të tilla, dhe mungesa e një Drejtorie të protokollit shtetëror kontribuon në këto pakujdesi.
“Pastaj e shikoj që është bërë pakujdesi, për arsye ndodha, tash numri i personaliteteve ne për ta dhënë saktësisht çfarë është bërë këtu, duhet ta kemi edhe hapësirën, sa ka qenë tribuna, numri i personaliteteve për të nxjerrë një llogari se si të vendosen, pasi kështu bëhet skema… është kërkesë e presidentit e kryetarit të Kuvendit, është kërkesa e kryeministrit e ministrit të Mbrojtjes, ministrit të Jashtëm dhe e trupit diplomatik dhe këto tentojnë të hyjnë në zonat e para, kush në vijnë e parë të renditjes, dhe numri, ata pastaj kërkojnë numrin, nëse janë tre persona, kur të bëhet renditja njëri përjashtohet ose dy dhe mbetë vetëm një…
Shteti ynë këtu ka mangësi të madhe pasi protokollin e shtetit e ka nivel të dobët, pasi nuk ka drejtori të protokollit shtetëror, siç kanë edhe vendet e rajonit… zyrtarë”, ka shtuar Avdija.